Kronikë

Karantinohet ferma në Shkodër pas ngordhjes së bagëtive, kreu i Veterinarisë: Sëmundje ngjitëse, presim analizat! Fermeri: Kam investuar 6 mln lek

3 Qershor, 12:33| Përditesimi: 3 Qershor, 15:20

  • Share

Një fermë në fshatin Domen të njësisë Postribë në Shkodër është vendosur në karantinë, pas shfaqjes së një sëmundjeje të dyshuar virale dhe shumë ngjitëse mes bagëtive.

Alarmin e ka dhënë vetë fermeri Zamir Milani, i cili ka raportuar ngordhjen në rrethana të pazakonta të dy krerëve. Sipas tij, simptomat e sëmundjes janë vërejtur edhe në ferma të tjera të zonës, ndonëse shumë prej fermerëve nuk kanë bërë njoftim zyrtar.

“Simptomat e sëmundjes kanë filluar para dy javësh. Bagëtive iu shfaqën puçra në gojë edhe te pjesa e gjoksit. Situata është shumë e rëndë pasi dy bagëti më ngordhën. Kam investuar 6 milionë lek, kërkoj një përgjigje nga Ministria. Bagëtitë i kam blerë para tre muajsh. Kam kontaktuar me një veteriner dhe më ka thënë që kjo sëmundje është shumë e përhapur në Greqi. Unë i kam blerë për qumësht. Kjo sëmundje këtu është përhapur rreth 60%”, tha Zamir Milani.

Kreu i Shërbimit Veterinar në Shkodër, Muhamed Bisha, ka konfirmuar se janë marrë mostra gjaku nga bagëtitë për analizim në laboratorin veterinar në Tiranë, dhe rezultatet priten brenda 48 orësh. Sipas tij, problemi kryesor është blerja e bagëtive të pa matrikulluara dhe pa certifikatë origjine.

"Pas marrjes së informacionit së bashku me grupin e punës erdhëm në zonë. Kemi marrë mostrat e gjakut. Sot do të dërgohen në Institutin e Referencës Veterinare në Tiranë. Përkohësisht ferma është vendosur në karantinë. Dyshohet për 2-3 sëmundje por ende mund ta konfirmojmë. Analizat do të dalin pas 48 orësh”, tha Bisha.

Nga ana tjetër, fermeri ka kundërshtuar pretendimet e zyrtarit, duke theksuar se në tregjet e bagëtive nuk ka kafshë të matrikulluara.

Aktualisht, në karantinë është vendosur vetëm ferma ku u evidentua ngordhja e bagetive, ndërsa në fermat e tjera të zonës së Postribës nuk janë marrë masa parandaluese.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?