Teksa Shqipëria po kalon një mot të acartë me reshje dëbore në shumë zona të vendit, kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj deklaroi se duke filluar nga dita e nesërme, rrugët do të jenë të kalueshme.
Në një intervistë për Report Tv, ai tha se ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, por punonjësit e OSHEE-së po vijojnë punimet për të evituar problematikat.
“Zona e Kelmendi është bllokuar herë pas here. Më të shumtën herë, rruga ka qëndruar e mbyllur jo më shumë se 24 orë. Këto izolime kanë ardhur për shkak të orteqeve të dëborës. Ka pasur probleme dhe me energjinë elektrike. Përveç punonjësve të OSHEE-së në Malësi të Madhe kanë ardhur dhe punonjës të rajonales. Nuk ka qenë shumë e lehtë por rruga ka qenë e kalueshme. Aktualisht po punohet për sjelljen në normalitet të rrugëve në këtë zonë. Ditën e nesërme do të jetë e kalueshme në zonën e Lëpushës. Unë konfirmoj aspekte që janë reale. Rruga ka qenë e zhbllokuar. Dje dhe sot dihet që rruga nuk ka qenë e mjaftueshme për kalimin e makinave pa zinxhirë” – tha Marinaj.
Edhe për emergjenca të ndryshme, Marinaj tha se janë garantuar shërbimet mjekësore për banorët por deri më tani nuk ka pasur raste të rënda.
“Ne kemi komunikuar me banorët. Mjekët kanë qenë konkret në çdo rast. Nesër do të jetë e hapur rruga, kjo varet dhe nga kushtet e motit. Nëse do ketë sërish shumë reshje, do na duhet më shumë kohë. Tashmë moti ka sjellë një stabilitet në këtë zonë. Ky dimër ka qenë i ashpër dhe e ka bërë më të vështirë situatën” – tha Marinaj.
Temperaturat e ulëta, ngricat dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar problematika të ndryshme në të gjithë vendin përgjatë ditëve të fundit. Problematika shfaqen në disa akse kombëtare ku shumë prej tyre janë bërë të pakalueshme. Ndërsa dhe shumë prej kompanive kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve nuk kanë marrë masat e duhura si në rastin e aksi Lezhë-Milot.