Ngrihet Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Tiranë, presidenti i Dhomës Italiane, Fico: Ky investim do shpëtojë jo vetëm jetë, por do parandalojë dhe katastrofa

12 Prill 2022, 09:53| Përditesimi: 12 Prill 2022, 10:10

  • Share

U përurua sot Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ajo u bë e mundur falë grantit prej 1 milion euro, të vënë në dispozicion nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi këtë një investim shumë të rëndësishëm, i cili sjell një tjetër standard të lartë në shërbimin dhe menaxhimin e sistemit të Mbrojtjes Civile në Shqipëri.  Ministri Peleshi shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për angazhimin e Italisë  në situata emergjente dhe kritike si ajo e tërmetit të vitit 2019 apo edhe përgjatë pandemisë COVID- 19.

“Ambicia jonë është e madhe, së bashku me bashkinë e Tiranës ne jemi përkrah në këtë hap të parë që do të shoqërohet më tej, nga një program shumë më i madh prej 30 mln euro, në kuadër të një ndihme prej 95 mln euro, dhe këtu Italia ka rolin e liderit. Pra, kemi bërë hapin e parë për të shkuar drejt një sistemi vërtetë modern, bashkëkohor të mbrojtjes civile për t’ju përgjigjur në kohë, krah për krah me bashkitë që janë në frontin e parë me emergjencat civile, çdo lloj fatkeqësie natyrore e për të mbrojtur qytetarët tanë”, u shpreh gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes sqaroi se “në këtë qendër do të ketë vendin e vet çdo institucion përgjegjës për Mbrojtjen Civile dhe sapo të merret thirrja për një rast fatkeqësi do të jetë këtu për të bashkëpunuar edhe fizikisht”.

Peleshi njoftoi se falë projektit tjetër do të nisin investimet edhe në bashkitë e vendit, për të bërë të mundur një reagim të menjëhershëm dhe profesional në raste zjarresh apo përmbytjesh.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Dhomës Italiane,  Roberto Fico, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Buçi, Drejtori i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Luca Maestripieri dhe Drejtori i Përgjithshëm Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako.

Presidenti i Dhomës Italiane Roberto Fico, vuri në dukje raportet mjaft të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Edhe Italia është një vend i goditur nga tërmetet. Eksperienca jonë e bashkëpunimit është e shkëlqyer. Ky investim mendoj se do të shërbejë jo vetëm për të shpëtuar jetë, por edhe për të parandaluar katastrofa, si ajo që ndodhi në Shqipëri në 2019 dhe në Itali në disa raste. Ky është fillimi i një udhëtimi që ne do të bëjmë së bashku, i cili do të ketë disa zhvillime me synim arritjen e standarteve europiane në fushën e Mbrojtjes Civile”, tha Fico.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se: “Ne duhet të jemi përditë të përgatitur sikur çdo ditë do ndodhë një gjë që ndodh në 100 vjet. Ky është definicioni i një kombi serioz”.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, e vendosur në një mjedis të vënë në dispozicion nga bashkia e Tiranës do të përmirësojë koordinimin dhe komunikimin e strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile në rastet e Emergjencave Civile.  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?