Ekonomi

Ngrihet shoqëria shqiptaro-arabe për prodhimin e pullave fiskale! Aksioner, edhe ish-koncensionari SICPA

19 Mars, 15:18| Përditesimi: 19 Mars, 16:26

  • Share

Është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria shqiptaro-arabe që do të prodhojë pullat fiskale pas mbarimit të kontratës koncesionare në dhjetor të vitit të shkuar. Shoqëria e krijuar quhet “Alb Trace Co”, ku 51% e aksioneve zotërohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe 49% nga “O&S Security and Solutions”, e regjistruar në Emiratet Arabe.

Bazuar në dokumentet e depozituara në QKB, shteti shqiptar në këtë kompani përfaqësohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, ndërsa aksionet e kompanisë arabe zotërohen 40% nga kompania SICPA Middle East Investments Holding LTD, që është në pronësi të ish-koncesionarit që prej vitit 2012 ka prodhuar pullat fiskale në Shqipëri. Pra kompania SICPA rikthehet edhe një herë në tregun tonë po për prodhimin e pullave, si aksionere e kompanisë arabe. Ndërsa 60% e aksioneve i takojnë Oumulat Security Printing, filial i Bankës Qendrore të Arabisë Saudite.

Prej vitit 2012 deri në fund të vitit 2024 prodhimi, shpërndarja dhe monitorimi i pullave fiskale të akcizës është kryer nga shoqëria koncesionare “SICPA Security Solutions S.A” dhe “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k që e kishin fituar të drejtën e koncesionit përmes një propozimi të pakërkuar në vitin 2011.

Ministria e Financave në fillim të këtij muaj tha se brenda marsit do të nisë prodhimi i pullave fiskale nga shoqëria e re, ndërkohë që bizneset do të furnizohen me pulla nga kompania koncesionare deri më 31 mars.

Shoqëria e re do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, dhe do të ketë si qëllim fuqizimin e kapaciteteve të saj në menaxhimin e proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?