Droni i kapur në burgun e Burrelit

Grupi kriminal tentoi të fuste sende të paligjshme me dron në burgun e Burrelit, shoqërohet 36 vjeçari (EMRI)

10 Shtator, 12:02| Përditesimi: 10 Shtator, 14:21

  • Share

Tirane -  Një 36 vjeçar është autori i ngritjes së dronit mbi burgun e Burrelit, dy ditë më parë, më 8 shtator 2024. 

Drejtoria e Burgjeve, në bazë të informacioneve deklaroi se kishim të bënim me një grup kriminal i cili po tentonte të fuste sende të paligjshme në burgun e Burrelit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale.

Shqiptarja.com mëson se i arrestuar është Tauland Ahmetsulaj, banues në Burrel. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se mbi ambientet e IEVP Burrel, ishte konstatuar një mjet inteligjent dron, i cili u neutralizua nga punonjësit e sigurisë së burgut, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të inteligjencës policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Mat, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje,  shtetasi T. A., 36 vjeç, banues në Burrel, informoi sot policia e Dibrës.

Në bashkëpunim të ngushtë më Prokurorinë dhe burgun e Burrelit, po vijojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, ndërkohë pajisja është çuar për ekspertim për shenjat e gishtave, me qëllim identifikimin e përdoruesve.

Çfarë deklaroi drejtoria e Burgjeve më 8 shtator

Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale.

Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.

Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive.

Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?