SHÇBA ka nisur hetimet prej 6 muajsh për efektivin e policisë Edvin Sinani, i cili është përfshirë ne trafikun e lëndëve narkotike. Indicja ka ardhur pas goditjes së disa grupeve të vogla te shpërndarjes së kanabisit, ku ka ngritur dyshime se bashkëpunonin me punonjës të policisë.
Pas hetimeve disa mujore, SHÇBA arriti në gjurmët e efektivit Sinani, që rezultoi se ishte i implikuar grupet kriminale. Mësohet se hetimet janë zgjeruar edhe në disa persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e aktivitetit kriminal. Por burimet shtojnë se nuk përjashtohen përfshirja e efektivëve të tjerë në këtë grup që shpërndanin lëndët narkotike.
Edvin Sinani, efektiv anti-droge, i cili është shpallur në kërkim nga policia, u pezullua nga detyra një ditë më parë pasi shpërndante drogë përmes një grupi të ngritur prej tij. Sinani dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrrësit, të cilët nga ana tjetër e ndihmonin për të goditur grupet kundërshtare.
Anëtarët e grupit të ngritur nga polici i pezulluar, i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e tij. Efektivi i vishte shpërndarësit e tij me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të tjerë të lëndëve narkotike. Pasi i kapte, më pas i lironte duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.
Edvin Sinani kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës.