Tiranë- Spanja e kërkonte për “shtëpi bari”, vjedhje energjie, organizatë kriminale dhe krime kundër shëndetit, Policia e Shtetit arreston 40-vjeçarin me 4 identitete.
Prangosja e tij u krye sot gjatë një aksioni të kryer nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, i koduar “Operacionalja 58”.
I arrestuari është Gjergj Gjoka alias Gjergj Marku, alias Gjergj Ruqja, alias Gjergi Ruqja, banues në Lezhë.
“Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët spanjollë, nëpërmjet INTERPOL-it, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 58”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasin Gj. Gj., alias Gj. M., alias Gj. R., alias Gj. R., 40 vjeç, lindur në Lezhë”, bëri me dije policia.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se Gjykata e Instruksionit nr. 1 Castellon de la Plana, në Spanjë, në vitin 2025, ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" në mungesë për 4 vepra penale: "krime kundër shëndetit publik, kultivim i bimëve narkotike”, "pjesëmarrje në organizatë kriminale" dhe “vjedhje e energjisë elektrike”.
“Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal, me ndarje të qartë të funksioneve të anëtarëve, duke filluar nga gjetja e ambienteve, marrja me qira, përshtatja e ambienteve për kultivim droge dhe montimi i pajisjeve me qëllim kultivimin e drogës. Gjatë operacionit policor në Spanjë janë gjetur dy ambiente të përshtatura për kultivim, një në Oropesa dhe një në Cabanes”, sqaroi policia.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.
Komente
