Mazhoranca ka propozuar emrat e 6 anëtarëve socialistë që do të jenë pjesë e komisionit të posaçëm për dezinformim. Besimin për ta drejtuar këtë komision, socialistët i’a dhanë Erion Braçes, ndërsa 5 anëtarët e tjerë do të jenë emra të rëndësishëm, disa prej të cilëve ish ministra, si Bledi Çuçi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Enslemvera Zake dhe Etilda Gjonaj.
Nga 11 anëtarë të komisionit opozitës do t’i takojnë 5, ndërsa deri tani për Report Tv kanë konfirmuar pjesëmarrjen Mesila Doda nga Grupi për Demokraci dhe Integrim, dhe Fatmir Mediu i “Aleancës për ndryshim”.
Nga grupi i Rithemelimit, Gazment Bardhi kërkoi kohë kur socialistët e kaluan në Kuvend, ndërsa emrat e 3 përfaqësuesve të grupit të tij Parlamentar ende nuk i ka gati.
Ngritja e Komisionit të Dezinformimit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe parlamentin evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja. Propozimi i mazhorancës u pa me skepticizëm nga opozita, të cilët ndonëse në parim ishin dakord, e cilësuan si një nismë me mungesë transparence nga ana e socialistëve. Kohën Rithemelimi e kërkoi që të hiqej çdo dilemë nëse komisioni do të kishte hapësira për ndërhyrje apo jo në lirinë e medias.
Komisioni i Posaçëm për Dezinformim do të ketë një afat 1-vjeçar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.
Anëtarët e propozuar nga PS
Erion Braçe (kryetar komisioni)
Bledi Çuçi
Mimi Kodheli
Pandeli Majko
Enslemvera Zake
Etilda Gjonaj