Mbjellja e grurit në fushat e Fierit, historikisht është bërë ndërmjet muajve tetor-nëntor, ndërsa këtë vit është shtyrë me afro një muaj. Fermerët kanë nisur mbjelljen në gjysmën e dytë të nëntorit me shpresën se do ta përmbyllin procesin në 10 ditëshin e parë të dhjetorit. Shkak është bërë ndryshimi i klimës, efekt i ngrohjes globale, thotë për Report tv, agronomi Ladi Pashaj, specialist në Drejtorinë e Bujqësisë.
“Në rrethin e Fieirt janë mbjellë 1500 ha ose 15 përqind e sipërfaqes totale prej 11 mijë hektarësh. Vazhdon te mbillet dhe duke qene se kemi nje ngrohje globale do shkojë deri në 10 diteshin e pare te dhjetorit”, u shpreh Pashaj.
Për të marrë rendiment të lartë, fermerët duhet të kujdesen tani për teknologjinë dhe farën, thotë agronomi, duke i këshilluar ta blejnë farën në pikat e licensura.
“Duhet të kenë parasysh plehrimin bazë, plugimin, frezimin. Dua të theksoj se fara ëshë e rëndësishme. Ata mbajnë farë nga gruri i vet, por duhet ta blejnë në pikat e licensuara se kanë farë të mrekullueshme”, tha Pashaj.
Ndërsa fermerët ankohen për çmimet e shtrenjta të pesticideve e farërave ndaj detyrohen të mbjellin grurin që kanë ruajtur vetë nga sezoni i kaluar.
“Çmimet janë të larta plehu nitrati ureja. Shitet me 25 mijë lek kuintali. Ne sdalim asgjë, shteti ska vënë dorë fare”, tha fermeri Sokrat Dhima.
Rajoni i Fierit është ndër kultivuesit kryesor të grurit në vend, me një sipërfaqe prej 11 mijë hektarësh.