Gjergj Laçi

Ngujoi për 6 vite familjen, lihet në burg ekstremisti: Nuk i kam penguar të dalin jashtë, fëmijët s'kanë nevojë të shkojnë në shkollë

8 Nëntor 2022, 12:27| Përditesimi: 8 Nëntor 2022, 15:38

  • Share

TIRANË- Gjykata ka lënë në burg ekstremistin Xherxh Laçi. Në seancë, 50-vjeçari ka pretenduar se nuk ka ushtruar dhunë ndaj dy djemve dhe gruas, teksa sipas tij nuk i ka penguar që të dalin jashtë.

Për arsyen pse nuk i dërgon dy të miturit në shkollë, deklaroi se nuk kanë asnjë nevojë. Ka pretenduar se është i pafajshëm dhe se fishekët e thikat i mbante për punë. Masa ‘arrest me burg’ është dhënë nga gjyqtarja Rexhina Merlika.

“Ç’e duan shkollën fëmijët”, mësohet të ketë thënë ai në Gjykatë.

Ndryshe nga çfarë pretendon 50-vjeçari, njëri prej fëmijëve ka rrëfyer para togave të zeza se babai i kërcënonte që të mos bënin asnjë hap jashtë derës së shtëpisë ndërsa i mbushte mendjen se kishte njerëz që donin t’i vrisnin.

Akoma më tronditës bëhet dëshmia e 17-vjeçarit, i cili ka treguar se nëna i ka rrëfyer se babai ia ka vënë thikën në fyt. Ndërsa djali tjetër më i vogël, 15-vjeçar ka ëndërr t’i kthehet jetesës normale, të kthehet në bankat e shkollës e të bëjë kurs futbolli. Në rrëfimin e tij tregon se gjithçka pa vitin e fundit ishin nëna me vëllain dhe babai që ecte në shtëpi me thikat e varura në brez.

Gjendja psikologjike e fëmijëve është e rënduar, teksa aktualisht mbahen në qendër rehabilitimi sëbashku me nënën e tyre.

50-vjeçari kishte ngujuar bashkëshorten e tij për 6 vite me radhë në zonën e '5 Majit’ në Tiranë. Prej 1 viti, 50-vjeçari kishte ngujuar edhe dy fëmijët e tij, të cilët nuk i kishte lënë të vazhdonin gjimnazin pasi kishin përfunduar shkollën 9-vjeçare. Vetë Laçi dilte nga shtëpia vetëm ditën e premte, pasi shkonte në xhami për t'u falur, ndërsa në momentin e arrestimit i janë gjetur edhe libra fetarë.

Report Tv ishte dje në banesën e 50-vjeçarit, ku vihet re se ata jetonin gjendja e vështirë ekonomike. Sipas fqinjëve ata nuk kishin paguar as faturat e energjisë elektrike, çka ka sjellë edhe ndërprerjen me furnizimin me energji nga ana e OSHEE. Ajo çfarë vihej re në banesë është se Laçi e kishte izoluar ballkonin me çarçafë, për të shmangur çdo kontakt të familjes me botën e jashtme.

Pas operacionit të zhvilluar, në banesë janë gjetur dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë të cilët i kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergji, nuk është krejtësisht emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2013 pasi në të njëjtën zonë ku banon edhe sot qëlloi me breshëri kallashnikovi duke terrorizuar banorët përreth.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ndryshohen drejtorët e policisë në qarqe, do ketë më shumë rend e siguri?