Gjykata e Krimeve Të Rënda refuzon për të pestën herë kërkesën e Altin Avdylit për tu lënë i lirë. Altin Avdyli, i cili njihet ndryshe dhe me pseudonimin “Nicja”, është arrestuar si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak.
Nicja ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë 'Arrest me burg'. Pretendimet e tij konsistojnë në faktin se Krimet e Rënda nuk kanë prova kundër tij, si dhe nga hetimi nuk kanë ardhur prova të reja.
Prokurori Dritan Prençi, ka kërkuar që masa e sigurisë të lihet e pandryshuar duke argumentuar se nuk ka kushte të reja ligjore që mund të cojnë në ndryshimin e saj dhe se provat e paraqitura janë të mjaftueshme për të caktuar një mase sigurimi.
Altin Avdyli ose “Niçja” ishte në mesin e të arrestuarve, tetorin e 2018-ës, si pjestar i grupit të Avdylajve në mega operacionin e koduar 'Volvo 4'.
Emri i Altin Avdylit u bë mediatik pasi nga dosja e prokurorisë dolën telefonata ku ai përmend se është takuar dhe ka drekuar me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako. Me këtë të fundit ka dhe një telefonatë.
Nga ky operacion në pranga ranë edhe dy ish-deputetët e PS, Arben Cuko dhe Arben Ndoka. Vëllezërit Avdyli akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra penale.