Barcelona është shumë pranë një goditjeje të madhe në këtë merkato vere, pasi sulmuesi spanjoll Nico Williams është rikthyer në listën e dëshirave të klubit katalanas. Këtë e ka konfirmuar vetë drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, duke pranuar publikisht interesimin për lojtarin dhe dëshirën e tij për t’u bashkuar me Barçën.
“Ka një kriter të qartë që një lojtar të vijë te Barcelona, ai duhet të besojë në projektin tonë. Vitin e kaluar transferimi i Nico Williams nuk u realizua, pasi prioritet kishte Dani Olmo. Por tani, si Nico ashtu edhe lojtarë të tjerë, shprehin dëshirën për të ardhur te Barcelona. Nëse kushtet janë të duhura, do të përpiqemi ta afrojmë”, tha Deco.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Barça po kërkon të forcojë repartin sulmues me elementë të rinj dhe të talentuar. Me një transferim të mundshëm të Nico Williams, katalanasit do të krijonin një sulm premtues dhe të frikshëm, së bashku me Lamine Yamal, Raphinha dhe Dani Olmo; një katërshe që premton të jetë ndër më të rrezikshmet në futbollin europian.
Komente
