Bota

Nigeri/ Gruaja e akuzuar për blasfemi ndaj islamit digjet e gjallë nga turma

2 Shtator, 09:29| Përditesimi: 2 Shtator, 09:33

  • Share

Një grua është djegur e gjallë në Nigeri nga një turmë në shtetin Niger, në veri të vendit afrikan, pasi u akuzua për blasfemi kundër profetit Muhamed, raporton BBC duke cituar policinë. Kjo e fundit e ka dënuar vrasjen e gruas – e identifikuar nga mediat lokale si një shitëse me emrin Amaye, dhe ka njoftuar se ka nisur një hetim për të arrestuar dhe ndjekur penalisht autorët.

Mediat vendase kanë cituar dëshmitarë okularë sipas të cilëve një burrë i kishte propozuar asaj në shaka që të martohej me të, dhe përgjigjja e saj ishte konsideruar blasfemi nga disa persona. «Fatkeqësisht, kjo çoi në një sulm nga turma dhe [gruaja] u dogj përpara se forcat e sigurisë të arrinin në vendngjarje», tha zëdhënësi i policisë së shtetit, Wasiu Abiodun, duke bërë apel për qetësi pas vrasjes së ndodhur të shtunën në qytetin Kasuwan-Garba.

Ngjarje të tilla nuk janë të rralla në veri të Nigerisë, ku blasfemia konsiderohet krim sipas ligjit islamik (Sheriat), që zbatohet paralelisht me ligjin laik në 12 shtete me shumicë myslimane. Të paktën dy persona të tjerë janë linçuar për akuza të ngjashme gjatë tre viteve të fundit, ndërsa kritikët theksojnë se nuk po bëhet mjaftueshëm për të parandaluar këto vrasje, si ndaj myslimanëve, ashtu edhe ndaj të krishterëve.

Raporti i Amnesty International i vitit 2024 zbuloi se të paktën 91 persona kanë qenë viktima të dhunës së turmës me motive fetare mes viteve 2017 dhe 2024, shumica prej tyre të krishterë ose pjesëtarë të pakicave të tjera fetare. Organizata për të drejtat e njeriut e dënoi linçimin dhe u bëri thirrje autoriteteve nigeriane të «hetojnë menjëherë dhe në mënyrë transparente» vdekjen e Amaye-s.

«Linçimi i Amaye pas një shkëmbimi batutash me një të ri është i neveritshëm dhe autoritetet duhet të sigurojnë që përgjegjësit për vdekjen e saj të arrestohen menjëherë dhe të vihen përpara drejtësisë. Fakti që një turmë ka arritur të mposhtë forcat e sigurisë dhe ta linçojë në vend tregon një përçmim të plotë ndaj shenjtërisë së jetës dhe ndaj procesit të rregullt ligjor», ka shkruar Amnesty International në X.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?