Nik Gjeloshaj dhe Marash Dukaj thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje: Me punë do dëshmojmë angazhimin tonë

11 Qershor 2023, 14:49| Përditesimi: 11 Qershor 2023, 14:52

  • Share

1686487963_votime.JPG

Në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi, në garë janë edhe dy koalicione të partive shqiptare: “Forumi Shqiptar” me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin Genci Nimanbegu.

Pas votimit, Nik Gjeloshaj dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, u bënë thirrje qytetarëve që të mos mungojnë në zgjedhje dhe kërkuan shmangien e incidenteve në mënyrë që të tregojnë se procesi është demokratik.

“Ju falenderoj përzemërsisht si medie që jeni këtu për të përcjellë fushatën e shqiptarëve. Sot është ditë demokracie ndaj mendoj se gjithçka do të shkojë qenë. Ftoj të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, militantët partiak të japin shembullin e një procesi të qetë. Besoj se sot prej Malit të Zi do të vij mesazhi i një dite ku qytetarët të japin mendimin e tyre se kush do që ti drejtojë në 4 vitet e ardhshme”- tha Gjeloshaj.

“Fillimisht dëshiroj t’ju falenderoj personalisht juve për interesimin që bëni për proceset zgjedhore në Malin e Zi. Për ne kjo është një mbështetje shumë e madhe. Ne besojmë dhe shpresojmë së pari që ky proces të jetë i qetë. Jemi munduar të japim maksimumin që kështu të ndodhë dhe kam besimin e plotë se qytetarët tanë çdo ditë e më shumë e kanë kuptuar kontributin tonë, dhe kontributin e subjekteve nacionale për këto procese të rëndësishme.

Ky është momenti që t’i ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm në Tuz por kudo në Ulqin, Plavë, Guci, Rozhajë, Krajë, Tivar dhe natyrisht të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen dhe jetojnë në Mal të Zi, të dalin dhe votojnë. Vota është një nga armët më të mëdha demokratike sot. Me votën qytetarët përcaktojnë vetë se kush dhe si t’i përfaqësojë për një periudhë të rëndësishme. Ndaj është e rëndësishme pjesëmarrja sa më e lartë qytetare në zgjedhje, për të përkrahur ata që mendojnë se janë më të mirët”- tha Dukaj.

Marash Dukaj foli edhe për përfaqësimin e shqiptarëve duke thënë se cdo gjë do të dëshmohet me punë. Ai tregoi se brenda 1 viti, në komunat shqiptare në Mal të Zi janë investuar më shumë se 20 milion euro.

“Unë kam qenë prej një viti ministër i Administratës Publike, dhe mendoj se me punë duhet ta dëshmojmë angazhimin tonë. Jemi munduar të veprojmë kështu dhe jam shumë i lumtur që për një periudhë kaq të shkurtër kohore të kemi bërë kaq shumë për shqiptarët. Për një vit është bërë më shumë se 20 vjet.

Madje sipas statistikave, brenda një viti janë nënshkruar kontrata për investime në komunat shqiptare, jo vetëm në Tuz por në të gjitha komunat shqiptare, në më shumë se 20 milion euro. Kjo tregon sinqeritetin dhe angazhimin tonë për të çuar përpara proceset duke filluar nga integrimi i shqiptarëve, të cilët jo vetëm në Mal të Zi por kudo po tregojnë se dinë dhe duan të jenë barabartë si të gjithë të tjerët. Natyrisht, integrim së bashku me identitet, duke u zhvilluar në nivelet evropiane pasi ne jemi shtet evropian”- tha Dukaj.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet në Malin e Zi, rezultatet paraprake nxjerrin fituese lëvizjen 'Evropa Tani' të presidentit Milatoviç! 2 koalicionet shqiptare marrin 3 deputetë


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?