Në përfundim të Asamblesë së PS, Niko Peleshi ka folur si kryetari i ri i Kuvendit, pasi u propozua nga Kryeministri Edi Rama për këtë funksion.
Duke folur për gazetarët, Peleshi tha se do t’i japë kujtdo hapësirën e vetë, ndërsa theksoi se puna e parlamentit duhet t’i përgjigjet ritmit të qeverisë.
“Opozita, mazhoranca, çdo deputet, do të mundohem të ketë hapësirën e vetë. Folëm për modernizim, teknologjia, do mundohem të bëj më të mirën time për të patur sa më shumë ndihmën e teknologjisë. Qeveria Shqiptare është një nga qeveritë më avangard në drejtim të përqafimit të teknologjive të reja inteligjencës artificiale, por dhe kuvendi. Sfida kryesore për mendimin tim është të ruajmë balancat, të kalojmë në një vetëdije të re, në vetëdijen që Shqipëria sot hyn në një segment të paimagjinueshëm për nga volumi i punës që ka. Nëse e mendojmë politikën si arenë gladiatorësh pa sens, ne do ta humbasim trenin e fundit. Qeveria mund të bëjë maksimumin e vetë, por pa Parlamentin, pa e mbështetur me përgjigje në kohë, konsultimin e ligjeve në kohë, ne mund të na ikë treni. Dhe nëse na ikën treni, po ta vendosim në kontekst gjeopolitik, mund të na ikë edhe për dekada të tjera. Kjo gjë është shumë herë më e madhe se sa gër-mëret politike të cilat i quajmë politikë, por për mua janë një traditë politike e së shkuarës që duhet t’ju kthejmë kurrizin”.
Opozita, tha Peleshi, duhet të jetë e kënaqur me ndarjen e re të komisioneve parlamentare dhe drejtimin e tyre që u është lënë nga shumica socialiste.
“Mendoj që opozita duhet të jetë e kënaqur me atë që u prezantua sepse do të ketë një komision më shumë në drejtim. Unë kam patur rolin tim modest në këtë dizejnim të komisioneve. E kemi bashkuar me politikën e jashtme, nuk ja kemi hequr opozitës. Sot që flasim, politika e jashtme është pothuaj e njehsuar me politikën tonë të integrimit europian”.
Lajmi kryesor:
Rama propozon Niko Peleshin për kryetar Kuvendi, deputeten Spahiu nënkryetare! Balla rikthehet si kreu i grupit
V.GJ /I.M/ReportTv.al
