Është opera “Aida”. Një nga 75 vëniet e regjisorit Nikolin Gurakuqi, që në 2007-ën ngjiti mbi 350 artistë në skenë. 44 vite kontribut në Teatër, Nikolin Gurakuqi vjen i rrëfyer në një libër nga Floriana Odhise Paskali si “Mjeshtri i risive të teatrit muzikor shqiptar”.
“E quaj mjeshtri i risive, sepse Nikolini punoi kryesisht në kohë kur kishte më shumë liri shprehje dhe aplikoi metoda të reja. Bëri specializimet jashtë dhe gjithmonë në çdo shfaqje të tij sillte diçka të re, thotë Floriana Paskali, studiuese e artit dhe autorja e librit.
“Figlio d’arte”, djali i regjisorit Luigj Gurakuqi, Nikolini njihet me “Operan” që në fëmijëri. Ndërsa regjisurën e nis si asistent në 1988-ën me në krah gjigandin e artit skenik, Piro Manin e operën “Kavaleria Rustikana”. Këto dy figura do të jenë thelbësore për karrierën e tij.
“Ata janë mjeshtrat, me të cilët unë u njoha me regjisurën. Me tim atë anën teorike dhe me Piro Manin, anën praktike”, shprehet artisti Nikolin Gurakuqi.
Emocionet e të qenit regjisor i parë i ndjen veçse dy vite më vonë me “Peshkatarët e perlave”.
“E vura në skenë me dirigjentin Ermir Krantja dhe me zërat më të mirë të kohës. Në shtyp në atë kohë kritika që iu bë shfaqjes ishte pozitive dhe mbaj mend se ministri i Kulturës i asaj kohe më thirri dhe më përgëzoi për këtë vënie të parë. E më tej kështu pasuan të gjitha të tjerat”, shprehet regjisori.
Skenografia do të qe gjithashtu një sprovë e kaluar, e Paskali përmend të tilla të realizuara nga Gurakuqi, mbi 14.
“Bashkëpunova që në fillimet e mia me skenografët më të mirë. Nga praktika e punës, mësova disa të fshehta të ndërtimit të një imazhi skenografik”, shton më tej.
Aspekte personale gërshetohen me karrierën e artistit, e humbja e të birit shënon goditjen e fortë, dhimbjen me të cilën duhet të jetojë, duke e mëkuar në gëzimin e të qenit gjysh, me familjarët, miqtë e shumtë, kolegët e artin e tij, si dhe të shkruarit.
Nga Teatri në klasën e Operas, artisti vijon t’ua përçojë përvojën e regjisurës edhe studentëve të tij. E rikthen sërish këtë sezon në “Opera” “Kavaleria Rustikana”, me të cilën e nisi. Ndërsa, karriera e tij shënon të tjera kulminacione, bashkë me të pasurohet edhe historiku i “Operas”.