Shkrimtari komunist turk Panait Istrati, diku rreth mesit të viteve tridhjetë, kryen një vizitë në Bashkimin Sovjetik për të parë zbatimin në praktikë të komunizmit. Siç dihet, vitet tridhjetë janë ndër më të tmerrshmet përsa i përket persekutimeve dhe kampeve të internimit. Një nga zyrtarët sovjetikë i ngarkuar për ta pritur, rreket t’i shpjegojë se dhuna është e domosdoshme kundër armiqve për të siguruar fitoren e komunizmit duke përdorur me këtë rast edhe një fjalë të urtë: “nuk mund të bëhet një fërgesë pa i thyer vezët”! Shkrimtari Istrati u ishte përgjigjur: “mirë, vezët i pashë që janë thyer, po fërgesa ku është?”! Afrimi i kohës së verdiktit për hapjen e negociatave më solli ndërmend këtë shembëlltyrë të përdorur nga filozofi slloven Slavoj Zizek kur krahasonte presionin e BE-së mbi Greqinë përsa i përket masave shtërguese të kursimit! E njëjta gjë më duket se po vërehet në këtë prag hapje negociatash midis BE-së dhe Shqipërisë! Është krejt i qartë impenjimi serioz i Shqipërisë përgjatë viteve të fundit për të përmbushur kushtet e hapjes së negociatave. Puna është bërë dhe kushtet janë plotësuar thuajse të gjitha (vezët janë thyer e janë bërë gati!), por prapë ka hezitim vetëm nga një ose dy vende të BE-së që nuk janë gati të japin lajmin pozitiv!
Nga 28 vende të BE-së vetëm një (Hollanda) është më dyshuesi për hapjen e negociatave. Duket se jemi përballë një absurdi pasi vetëm ky vend përpiqet t’u imponohet 27 vendeve të tjera që janë pro hapjes së negociatave. Duket gati e pabesueshme por raste të tilla vendimarrjesh e vënë Europën para krizash mbi qartësimin e identitetit të saj! Është sfiduese për një hapësirë politike e kulturore, historia e së cilës zë fill prej më shumë se 2000 vitesh, të përballet me një vendim ku një vend që përbën 2.25% të popullsisë së BE-së, t’i imponohet pjesës tjetër për lojëra politike të brendshme të tij.
Besoj se çdo veprim i drejtë politik, veç parametrave teknikë, duhet t’i referohet historisë së Europës dhe historisë dhe aspiratave që një popull ka për tu bërë pjesë e saj! Europa nuk është një kontinent që mund të përkufizohet vetëm gjeografikisht, ajo është për më tepër një realitet kulturor dhe historik. Europa lind në brigjet e Mesdheut e mbështetur mbi tre boshte kryesore: mendimin flozofik grek, instucionet romake dhe krishterimin. Në vijim, botës së saj kulturore i shtohen elemetët kulturorë të popujve të ungjillëzuar si Keltët, Anglosaksonët, Gjermanët dhe Sllavët!
Është tashmë i mirënjohur historikisht, dhe nga ana antropologjike, fakti që në shekujt e parë të mesjetës (VI–VIII pas Krishtit), me përhapjen e krishtërimit, u përcaktua një mjedis gjeografik, shpirtëror dhe kulturor që mund të quhej europian me një identitet të dallueshëm kulturor. Kjo njësi kulturore, Europa, lindi si faktor përbashkues me një aftësi integruese të jashtëzakonshme të elementeve më pozitive të të gjitha kulturave të pranishme në kontekstin gjeografik europian. Edhe në kontaktin interesant midis kulturës romake dhe asaj gjermanike u prodhua një sintezë mjaft domethënëse. Ky fakti i fundit dëshmon se Europa nuk ka qenë asnjëherë përjashtuese dhe nuk ka pse bëhet sot e tillë!
Në këtë pamje të situatës së pritjes mu kujtua një pasazh i shkruar nga Edi Rama para 12 vitesh mbi përkatësinë, historinë dhe pasionin e shqiptarëve për Europën:
“«E duam Shqipërinë si gjithë Europa». Kjo qe thirrja që doli nga kraharori i Lëvizjes Demokratike, ëndrra e ndaluar dhe brenga e pandashme e një Shqipërie në portat e Europës! Një ëndërr e jetuar në luftra të hershme e moderne. Ëndërr e fshehur, e torturuar, e gjakosur, e vrarë, e ringjallur dhe e rivrarë! Ëndërr e kthjelluar veç në ëndrra murgjish, gjuhëtarësh, poetësh, heronjsh, martirësh dhe e mjegulluar, kallkanosur e varrosur në shkretëtira të pafundme…! Ëndërr arratiakësh dhe brengë atdhetarësh që e formësoi vizionin tonë politik jo vetëm si imperativin e një kohe të re, por edhe një amanet për t’u çuar në vend!”
Ashtu si kultura romake kuptoi dhe mbështeti qytetërimet nordike, po ashtu duhet mirëpritur çdo kulturë që e do dhe e pranon Europën. Çdo vend e do Europën në mënyrën e vet! Ndoshta edhe me tepër pasion, siç është rasti ynë, por thelbësore është që ne e duam Europën për vlerat, ligjet dhe shpirtin e saj! Në fjalimin e mbajtur me rastin e pranimit në Akademinë Franceze më 28 nëntor 1996, Kadareja shkruan: “Ballkanasit kanë më shumë se një shekull që të tillë e shprehin dashurinë për Europën: në mënyrë pasionale, nervoze. Ajo që duhej të ishte dashuri përfundon në keqkuptim tragjik”.
Besoj fort se sot keqkuptimi nuk është në anën e shqiptarëve por në anën e atyre që përfaqësojnë 2.25 % të popullsisë europiane! Shqiptarët i përkasin qytetërimit europian dhe si të tillë u duhet hapur rruga e integrimit, u duhen hapur negociatat! Për të vërtetuar këtë fakt, mjafton t’i referohemi fiozofit italian Giovanni Reale, për të parë se cilat janë bazat e qytetërimit europian dhe si qëndrojnë shqiptarët përkundrejt këtyre vlerave. Në librin e tij “Radici Culturali e spirituali dell’Europa” (Rrënjët kulturore dhe shpirtërore të Europës) na paraqet pesë momente kryesore që mund të përcaktojnë rrënjët kulturore të identitetit europian.
Së pari, ai flet për “përkujdesjen ndaj shpirtit” si bazë e parë dhe në këtë pikë i referohet kulturës greke. Me Sokratin dhe Platonin janë vënë themelet e një koncepti të ri të qenies njerëzore sikur të ishte me plot gojën emblema e kulturës perëndimore: thelbi i njeriut ka të bëjë me inteligjencën e tij, me aftësinë e tij për të kuptuar e për të dëshiruar. Pra, qytetërimi europian ka marrë nga mënyrat e të menduarit logjik, modelet e një etike dhe një politike që bazohet tek virtytet, që e kanë pikënisjen nga shpirti njerëzor, ka marrë shtysën e madhe drejt lirisë dhe drejtësisë. Këto përbëjnë edhe shtyllat e forta mbi të cilën mbështetet paqja mes popujsh. Po të përqendrohet vëmendja në mënyrën sesi G. Reale e shtjellon këtë pikë, del qartë se kjo bazë, më shumë se kulturore, antropologjike, historike është kryesisht morale, pra bart një vlerë në vetvete. Në këtë kuptim, është europian një popull apo një komb që e adhuron dhe e do këtë vlerë, pavarësisht nga situata, ku hera herës, e hedh historia. Një nyjë ndërlidhëse e ndërvepruese e Shqipërisë me identitetin europian, për sa i përket kësaj baze (përkujdesjen ndaj shpirtit), është edhe trashëgimia kulturore dhe letërsia shqiptare që prej 500 vjetësh deri te letërsia moderne!
Baza e dytë kulturore e lindjes së identitetit europian, sipas G. Reale-s, është “mënyra e të menduarit me koncepte”, edhe kjo me origjinë greke. Ky është një hap i jashtëzakonshëm, pasi shënon kalimin nga një mënyrë të “menduari me mite dhe imazhe”, të lidhur me kulturën arkaike të kulturave gojore, në një mënyrë të “menduari me koncepte”. Nuk ka dyshim se në gjuhën tonë të përditshme, në libra, në shkollë, në art, në politikë, kudo, mënyra jonë e të shprehurit është me kategori mendore që vijnë nga bota e lashtë greke. Shkolla greke që nga Sokrati, Platoni e deri tek Aristoteli na ka përgatitur një rrugë të mendimit dhe bashkë me të një bazë qytetërimi, që na duhet për të arritur tek njohja e vërtetë e atij misteri që rregullon gjithësinë. Mbi këto baza mendimi, mbi këto kategori është ngritur gjithë përparimi i shkencës në Europë dhe Shqipëria është e lidhur ngushtë me këtë lloj mendësie e me këtë përmasë të qytetërimit europian. Edhe gjatë Perandorisë Osmane një pjesë e shqiptarëve kanë frekuentuar universitetet europiane dhe ky fakt dëshmohet nga prania e mbi 30.000 të rinjve shqiptarë që studiojnë nëpër universitete europiane e perëndimore, qindra të tjerë që punojnë nëpër qendrat më të përparuara teknologjike, e dëshmojnë edhe mjaft të tjerë të cilët japin leksione në katedra prestigjioze europiane. Nuk ka dyshim se shqiptarët e dashurojnë këtë qytetërim dhe e shohin atë si përkatësi.
Baza e tretë themelore është “koncepti i personit njerëzor” që lidhet drejtpërdrejt me njeriun dhe rëndësinë e tij. Kjo bazë vjen nga përpunimi që krishterimi i ka bërë konceptit të dyfishtë grek mbi njeriun si një shpirt i burgosur në trupin e tij. Vetëm mbi bazën e mesazhit të krishterë njerëzimi ka zbuluar se personi njerëzor ka vlerë absolute si i tillë. Mendoj se kjo është pika kulmuese e mesazhit të G. Reale-s për sa u përket bazave të identitetit europian. Nga koncepti i personit njerëzor buron edhe dinjiteti i tij dhe ky dinjitet është baza më sublime që bart qytetërimi europian. Kjo bazë i jep atij një vlerë universale të mirënjohur nga çdo qytetërim tjetër pasi, në bazë të këtij elementi ky qytetërim shënon një hap cilësor përpara sepse mirëpret çdo person pa dallim feje, botëkuptimi, ideje, arti, prejardhjeje politike, pasi njeh tek ai dinjitetin e patjetërsueshëm. Ja një pikë tjetër themelore që e lidh identitetin shqiptar me atë europian: shqiptarët duan të arrijnë në këtë pikë dhe këtë e tregon etja që kanë për të realizuar njohjen e bazave të këtij dinjiteti, pavarësisht nga kushtet që shpesh e mohojnë një gjë të tillë.
Baza e katërt është poeti Dante Aligeri. Për këtë bazë, Reale i referohet një sprove të Eliot-it ku thotë: “Dantja është poeti më europian se çdo poet tjetër i kontinentit tonë”. T. Eliot-i e shpjegon këtë me tezën që Dantja është poeti më universal që ka shkruar ndonjëherë në një gjuhë moderne. Dantja, megjithëse italian, është para së gjithash europian (vihet re një analogji interesante me sprovën “Dantja i pashmangshëm” të Kadaresë!). Në këtë pikë mendoj se është e tepërt të zgjatem pas asaj perle që na ka dhuruar Kadareja me “Dantja i pashmangshëm” ku e shikon Shqipërinë të lidhur fort me kulturën europiane!
Baza e pestë është shkenca dhe teknika. Reale citon për këtë H. G. Gadamer-in: “Risia më e madhe e metodës matematikore eksperimentale përfaqësoi një revolucion në shkencat e natyrës, mendoj se është i vetmi revolucion që e meriton plotësisht këtë emër. Mekanika Galileane dhe përhapja e metodës matematikore në të gjitha shkencat përbëjnë fillimin e vërtetë të epokës moderne. Është shkenca që përcakton identitetin europian si të tillë, ajo i ka dhënë formë Europës në evolucionin e saj historik.”
Është e tepërt të shquhet pasioni e kërkuesve shkencorë shqiptarë anembanë botës dhe aftësitë e jashtëzakonshme që tregojnë në njohje e në teknikë. Shembujt janë me mijëra. Edhe në këtë pikë pasioni i drejton shqiptarët drejt Europës. Duke kërkuar të bëjë një përmbledhje të asaj çka u trajtua më lart, do të thosha që duket qartë se ajo çka e bashkon Europën në një identitet është referimi i saj i përhershëm kundrejt vlerave. As gjeografia, as gjuha, as zhvillimi i saj nuk e bën atë me një identitet të mirënjohur, aq sa e bën referimi absolut që ajo ka ndaj vlerave dhe ndaj dinjitetit të njeriut.
Nga gjithçka thashë më lart do të doja të tejshquaja se Europa duhet të ketë parasysh, veç parametrave teknikë edhe një shpirt të saj të tharmuar ndër shekuj. Duke iu rikthyer metaforës së fillimit të shkrimit, do tëishte udhës që vendimarrësit e Europës t’i referohen filozofes Hannah Arendt kur thotë se veprimi politik është i denjë kur i referohet maksimës së Georges Clemenceau: “çështja e njërit është çështja e të gjithëve”!