Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi. Gjatë takimit u bisedua mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe parlamentar.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “Marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve po pasohen nga bashkëpunimi ekonomik dhe shtimi i investimeve saudite në Shqipëri. Ne duhet të shfrytëzojmë potencialet për rritjen e bashkëpunimit në infrastrukturë, mjedis, turizëm etj. Intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar po i shërben zgjerimit dhe avancimit të bashkëpunimit dypalësh dhe miqësisë mes dy popujve.”
Nikolla i shprehu Ambasadorit Faisal Ghazi Ismail Hifzi mirënjohjen për ndihmën për përballim e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë dhe në mënyrë të veçantë vlerësimin për mbështetjen e Arabisë Saudite për Kosovën dhe pozitën e saj ndërkombëtare si edhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë.
Kryetarja e Kuvendit i përcolli Ambasadorit Faisal Ghazi Ismail Hifzi ftesën drejtuar Kryetarit të Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.
Ambasadori, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, falenderoi Kryetaren Nikolla për vlerësimin e bashkëpunimit të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite dhe e siguroi për angazhimin e tij në forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona mike.
Komente
