Nikolla dhe delegacioni

Nikolla pret Kryetaren e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë: Shqipëria, lider për bashkëpunimin, integrimin dhe paqen në rajon

18 Prill 2023, 12:49| Përditesimi: 18 Prill 2023, 12:51

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, të kryesuar nga Kryetarja, Stefania Gabriella Anastasia Craxi. Në përbërje të delegacionit ishin edhe senatori Luigi Spagnolli, Ambasadori Fabrizio Bucci dhe miq të tjerë parlamentarë e diplomatë italianë.

Mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit të Italisë bashkëpunimi vijon të rritet e fuqizohet. Këtij qëllimi i shërbeu edhe vizita e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në Romë dhe takimi me Presidentin e Senatit, Ignazio La Russa, në 8 mars të këtij viti.

“Shqipëria dhe Italia, Kuvendi dhe Senati, jemi të angazhuar për të kontribuar në Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh. Ne i jemi mirënjohjes Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të vendit tonë si edhe për kontributin si avokatja më e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria dhe Italia janë partnerë në NATO, në mbështetjen e Ukrainës dhe në kontributet për mbrojtjen e sigurisë e të paqes në rajon, kontinent dhe në botë. Dëshirojmë e shpresojmë që Italia të mbështesë fort anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë nuk prevalojnë interesat, por miqësia, e cila i ka rrënjët në lidhjet e fuqishme historike e shpirtërore mes popujve tanë.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kryetarja e Komisionit, Stefania Gabriella Anastasia Craxi, vuri në dukje se Shqipëria dhe Italia, përveçe dy vende tradicionalisht e historikisht mike të ngushta, janë partnerë  në përballimin dhe zgjidhjen e konflikteve të vështira gjeopolitike, mes vendeve demokratike e paqësore dhe regjimeve luftënxitëse e autokrate. Italia do të vijojë të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka një agjendë tjetër përveç të ardhmes evropiane të rajonit. Italia mbështet dialogun Kosovë-Serbi. Italia vlerëson rolin lider të Shqipërisë në rajon, mbështet nismën e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi dhe nxit vendet  e tjera t’i bashkohen kësaj nisme. Për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, Italia do të nxisë edhe diplomacinë paralele.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?