Ambasadori i OSBE-së Vincenzo Del Monaco dhe Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla

Politikë

Nikolla takon ambasadorin e OSBE-së, Del Monaco: Frymë të re bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës në Kuvend për kryerjen e reformave

27 Shtator 2021, 13:22| Përditesimi: 27 Shtator 2021, 13:50

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka takuar sot Shefin e Prezencës së OSBE-së, Vincenzo Del Monaco. Ambasadori Monaco i uroi Kryetares Nikolla suksese në detyrën e lartë dhe shprehu bindjen se përgatitja, përvoja dhe vullneti politik janë premisa për një lidership të suksesshëm në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, falenderoi Ambasadorin Del Monaco për urimet dhe vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm të Prezencës së OSBE-së në Tiranë me Kuvendin e Shqipërisë.

“Unë vlerësoj kontributin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në avancimin dhe thellimin e reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, mbështetjen për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, promovimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile etj.”, vuri  në dukje Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. 

Kryetarja Nikolla dhe Ambasadori Del Monaco biseduan edhe për vazhdimin e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe OSBE-së për kryerjen e reformave të rëndësishme,  si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi e zgjatja e vetting-ut, reforma territoriale etj.

“Unë do të kontribuoj për një frymë të re komunikimi e bashkëpunimi midis shumicës dhe opozitës në Kuvend, për kryerjen e reformave.”, nënvizoi Nikolla. 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?