Tonin Simoni, nipi i Kardinalit të parë shqiptar Ernest Troshani, thotë se ka pasur mundësi që të takojë 7 herë personalisht Papa Françeskun. Në një intervistë për Report TV, Simoni tregoi bisedat që ka pasur me Atin e Shenjtë, duke shtuar se ai ka lënë një thesar të madh te njerëzimi.
Simoni kujton edhe përshtypjet që kishte Papa Françesku për vizitën në Shqipëri, duke vënë theksin tek mikpritja si edhe te vëllazëria fetare, siç thoshte ai.
“E priti me trishtim, por më i trishtuar kemi qenë ne se ai. Ai tha se kush beson zotin nuk vdes. Ai tha se Papa Francvesku na ka lënë jetim por veprën e tij do ta vazhdojmë. Menjëherë foli me Vatikanin, bëri lutjet e veta. Na ka lënë thesar të madh Papa Francesku. Kam pasur nderin që ta takoj 7 herë personalisht. Kam përshtypjet më të mrekullueshme të një njeriu të përvuajtur, të thjeshtë, me humor edhe me gjithë të mirat. Çohej vetë dhe merrte ushqimin, fliste me neve si me qenë shokë të ngushtë. E kishte në zemër popullin shqiptar. Ai tha se ju keni pasur regjimin më mëkatar që ka pasur Evropa, sidomos kundër klerit dhe fesë. Por populli shqiptar e ka ditur ta mbajë, është popull me vlera të larta. Janë fjalë të thëna nga goja e Papës. ‘Rroftë populli shqiptar dhe Shqipëria na ka thënë disa herë kur na takonte dhe përqafonte. Kishte një përshtypje të jashtëzakonshme.
Papa ka thënë kam mbetur i shtangur, megjithatë e di që Zoti ka krijuar njerëzit si krijesa më e bukur, por në Shqipëri kam gjetur një mikpritje, vëllazëri. Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë por vëllazëri fetare. Edhe Kardinali nuk i ndajnë me fe. Edhe Papa ka pasur tendencën për të mos ndarë me fe. Një simpati për mikpritjen dhe dashurinë e popullit shqiptar. E kam në zemër thoshtë popullin shqiptar se ka ditur të mbajë krenarinë, zotin dhe fenë.”, deklaroi ai.
Simoni u ndal edhe te deklarata e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e cila dje tha se Papa Françesku nuk mundi dot ta mbante premtimin për të vizituar vendin. Simoni u shpreh se edhe Kardinali Troshani i kishte kërkuar Atit të Shenjtë njohjen e Kosovës. Ai përmend edhe fjalët që Papa thoshte se Shqipëria dhe Kosova e meritojnë që të jenë një.
“E kemi diskutuar njëherë me Papa Françeskun. Edhe Kardinali ia ka kërkuar se kur do ta pranojmë Kosovën? Papa me një gjest dhe përqafim tha janë çështje të konklavitura ndërkombëtare por jam duke punuar ditë e natë që ta njohim Kosovën sepse e meriton. Kosova dhe Shqipëria e meritojnë të jenë një. Kam qenë vetë i pranishëm në takim. Jo njëherë. Ishte edhe Arqipeshkvi i Prishtinës. Ia ka kërkuar kur po bëhet? Thoshte mos u mërzit, bënte një përqafim. Thoshte së shpejti do ta bëj.”, u shpreh Simoni.
Sipas tij, ajo që e bëri kaq special Papa Françeskun ishte afërsia me njerëzit e thjeshtë.
“Kam pasur trishtim sepse më është dukur sikur na mungon një copë e njerëzisë, e unitetit, e vuajtjes së njerëzve. Ka qenë afër njerëzve të thjeshtë. Do të kenë vazhdimësi të madhe dhe veprat e tij do të shkojnë përpara. Ka bërë reforma të rëndësishme në Vatikan, me afruar popullin. Afrimi me njerëzit e ka bërë atë special. Kam lexuar librin e tij me kujtimet, dhe thotë se një njeri që nuk do vëllain e vet, është rrenë që e don Zotin.”, theksoi ai.
Komente
