Veprat e 470 artistëve nga 50 vende të botës, veshin muret e Galerisë së Tiranës, duke shënuar kështu fillimin e Bienales Ndërkombëtare të Grafikës...
Tematika të larmishme, ku artistët sjellin ngacmimet e kohës. Në to, nuk mungojnë elementë tipikë të vendeve ku jetojnë, refleksione mbi të shkuarën që përsëritet edhe përmes një lufte, politikat aktuale si dhe elementë inspirues nga kryevepra të artit e kulturës.
“Me rëndësi të theksohet është edhe fakti se teknikat janë të larmishme, si dhe artistët kanë mundur të kuptojnë konceptin e të jetuarit me kohën. Kjo ide ka dalë ka një vepër në tjetrën, ku duket se niveli i tyre është shumë i lartë. Janë të niveleve botërore”, thotë kuratori Abaz Hado.
Artistët shqiptarë janë 75. Në kuadër të Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë, u jepet hapësirë edhe grafistëve të rinj, që i bashkon gjuha universale e grafikës. në fund juria e përzgjedhur do të shpallë 4 finalistët.
Bienalja e Grafikës është menduar të mbahet një herë në 2 vjet. Ndërsa disa prej veprave do të jenë pjesë e Muzeut të Grafikës, një nga projektet e afërta të Galerisë së Tiranës.
“Shumë prej tyre do të jenë pjesë e fondit të Galerisë, kjo Galeri ka projektuar që shumë shpejt të ketë Muzeun Ndërkombëtar të Grafikës”, thotë më tej drejtori i GAT, Abaz Hado.
Veprat do të qëndrojnë të ekspozuara për një muaj.