Festivali më i madh i teatrit në Shqipëri KOKO FEST, hapi siparin mbrëmjen e të shtunës në teatrin “Andon Zako Cajupi” me veprën e Shekspirit "Nata e dymbëdhjetë". Vepra është vëne në skenë nga regjisori i mirënjohur grek Dhimitris Milonas, i cili vjen për herë të dytë në Korcë.
Aktorja dhe iniciatorja e këtij festivali, Zamira Kita tha se në këtë përvjetor do të marrin pjesë gjithsej 8 komedi me trupa nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Jemi në një përvjetor shumë të rëndësishëm. Profesionalisht ka sjellë shfaqje shumë të mira, realizuar. Kemi trupa nga Kosova, Maqedonia. Coco fest ka në qendër komedinë.. Venë në interpretimin e aktorëve, por dhe komponentëve të tjerë të rëndësishëm. I ofrojmë publikut dhe një ekspozitë që ekspozojmë punën e këtyre 10 viteve. Kemi dhe shumë komedi të vjetra që i kemi eksponuar”- tha aktorja Zamira Kita.
Përveç shfaqjeve artdashësit korçarë do të kenë mundësi të shohin edhe një ekspozitë në hollin e teatrit, kushtuar festivalit ndër vite.
“Kjo ekspozitë bëhet në rastin e 10 vjetorit të Coco Fest. Janë bileta, fletëpalosje të ndryshme. Koleksioni i biletave. Ka rëndësi historike. Tregon shfaqjet që janë bërë nga grupet e ndryshme artistike” tregoi, Mirgen Shamblli.
Festivali do të vijojë në Korçë nga data 2 deri në datën 9 shtator duke bërë bashkë artistë, të ftuar specialë, qytetarë dhe turistë. Në natën e fundit do të ndahen edhe çmime nga një juri profesioniste.