Magjia e artit skenik përmes festivalit të aktrimit “Apollon”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit të Fierit, është rikthyer në edicionin e 14-të në teatrin Bylis.
9 trupa teatrore me aktorët më të dashur për publikun nga Shqipëria, Kosova, Kroacia sjellin 9 shfaqje veprash artistike mes tyre Komedia 'Tërësisht të huaj', nga Paolo Genavese 'Certifikata e martesës', nga Dushan Kovaçeviç , “Shtëpiakë të dëshpëruar”, “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit” e shkrimtarit Miro Gravran etj.
Juria e festivalit të edicionit të këtij viti përbehet nga artistët Ndriçim Xhepa, Luli Bitri dhe Enver Petrovci.
‘Sot është qyteti i dytë për mua se në fillim nuk kam ditur çfarë është Fieri. Nuk ka njeri që nuk di ku është Fieri për shkak të këtij festivali, për shkak të këtij teatri.’- tha Enver Petrovci.
Artistët e njohur të skenës shqiptare Luiza Xhuvani, Luftar Paja, Agim Bajko, Olta Daku, akademiku Josif Papagjoni dhe artistë të tjerë u bënë pjesë e natës e parë të hapjes së Festivalit mbarëkombëtar.
Për një javë qyteti i Fierit pritet të kthehet në qendrën e artit dhe artistëve duke i dhënë emocione të bukura publikut fierak përmes magjisë së teatrit.