Politikë

Nis faza e parë e shërbimeve në Spitalin Rajonal të Fierit, Rama: Do jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për spitalet e tjera në vend (VIDEO)

31 Maj 2021, 15:38| Përditesimi: 31 Maj 2021, 18:28

  • Share

Spitali Rajonal i Fierit ka nisur fazën e parë të shërbimeve. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, inspektuan sot ambientet e spitalit, ndërsa komunikuan edhe me pacientët e shtruar, të cilët u shprehen të kënaqur për kushtet dhe cilësinë e shërbimit nga stafi mjekësor, i përbërë nga mjekë turq dhe shqiptarë.

Duke iu drejtuar mjekëve turq, Rama tha se misioni i tyre në Spitalin Rajonal të Fierit do të jetë i dyfishtë pasi, përveç shërbimit, ata do t’i përcjellin kolegëve shqiptarë edhe dijet e tyre. Sipas Ramës, ky spital do të shërbejë edhe si qendër transferimi i dijes për spitalet e tjera në vend.

“Misioni juaj është i dyfishtë, edhe për të shërbyer , por edhe për t’i përcjellë kolegëve shqiptar të gjithë dijen. Ne duam që ky spital të jetë si një qendër për transferimi e dijes edhe për spitalet e tjera dhe për personelin shëndetësor në spitalet e tjera”, u shpreh Rama.

Duke folur për zhvillimin e mëtejshëm të Spitalit Memorial, Manastirliu theksoi se do të implementohet edhe Platforma e Digjitalizimit.

“Tashmë kemi një plan se si do të shtrijmë gjithë platformën e digjitalizimit. Në fakt duam që të huazojmë eksperiencën turke sepse kanë një sistem shumë të kompletuar, ku edhe nëndrejtori tashmë na e ka prezantuar. Dhe besoj që do ta aplikojmë së shpejti. Por do të jetë me të vërtetë fantastike sepse bëhet gjithë organizimi i punëve në spital që nga hyrjet në sistem, tek farmaceutika, imazheria dhe të gjitha”, tha Manastirliu.

Nga data 27 maj Spitali Memorial i Fierit ka hapur dyert për pacientët dhe deri tani janë 100 pacientë që kanë marrë shërbimet në këtë spital, 18 pacientë janë shtruar dhe janë realizuar 2 ndërhyrjet e para kirurgjiikale me sukses. Pacientët janë referuar raste nga qarku i Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Spitali Rajonal, investim i Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.

Ora 15:43
Pacienti e pret me duartrokitje, kryeministri batuta: Po këtë pse e mbani se qenka në superformë (VIDEO)

Spitali Rajonal i Fierit ka nisur fazën e parë të shërbimeve, ndërsa duket se pacientët janë shumë të kënaqur me kushtet dhe shërbimin e stafit mjekësor.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot ambiente e spitalit, ndërsa nuk i kurseu batutat me një pacient që e priti me duartrokitje.

Ai iu drejtua kryeministrit duke i thënë ‘punëtori më i madh i Shqipërisë’, ndërsa Rama iu përgjigj me shaka: “Po këtë pse e mbani se ky qenka në superformë”.

Dialogu mes Ramës dhe pacientit:

Pacienti: Zoti kryeministër, punëtori i madhi Shqipërisë, ke bërë edhe Ministren e Shëndetësisë shumë punëtore

Rama: Po këtë pse e mbani se ky qenka në superformë

Pacienti: Unë jam i sëmurë, po do shërohem, ti të na rrosh

Rama: Mirë këtu?

Pacienti: Këtu qenka fantastike, punonjësit qenkan florinj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?