Jazz dhe World Music, 220 artistë vendas e të huaj, bëhen bashkë për të vijuar rrugëtimin e Festivalit Ndërkombëtar të Jazz. Kësaj here zë fill në Teatrin Bylis në Fier me kuartetin francez të Chambery. Krahas adaptimit me teknologjinë e re, shkëmbimit të eksperiencave me artistët ndërkombëtarë, ky edicion i 11-të e gjen këtë rrymë më të konsoliduar në vend.
“Në këtë edicion marrin pjesë artistë edhe jazz band, nga Shqipëria, Izraeli, Franca, Austria ka artistë hungarez, sllovenez, si dhe nga Spanja kemi një nga grupet më të mira të Spanjës “Barencia””, thotë organizatori Besim Petrela.
Përpos integrimit të “Muzikës jazz” në Departamentin e Interpretimit tanimë është krijuar edhe Tirana Youth Jazz Orchestra që do të ketë performancën e parë mbrëmjen e së premtes në Tiranë. Kuarteti “Bugala” dhe Europian “Trio” do t’i shtojnë ngjyrimet mbrëmjes, për ti lënë radhë të tjera bendeve ndërkombëtare deri në datë 11.
“Tirana Youth Jazz Orchestra nuk është vetëm iniciativë e imja, por është edhe e shoqatës që ne kemi Albania Jazz Society. Është produkti i një pune disavjeçare dhe vëmendja që i kushtojmë të rinjve shqiptarë, specifikisht atyre që duan të merren me jazz dhe muzikën moderne”, shprehet muzikanti Gent Rushi, drejtor artistik i Festivalit.
Gent Rushi, si drejtor artistik, çon përpara Festivalin me në krah muzikantët Emiljano Dhima e Ermal Rodin, të cilët pohojnë se workshopet dhe koncertet e këtij Festivali u kanë shërbyer si artistëve ashtu edhe qasjes së një publiku më të gjerë me këtë rrymë dikur, të ndaluar në vend.
“I jam bashkuar Festivalit që para 11 vitesh kur nisi. Në atë kohë isha student, kur Besimi besoi tek unë. Si instrumentist në saksofon, mund të them se kam qenë pritësi i parë i bendeve që kërkonte bashkëpunim. Është krijuar një traditë mund të themi sepse shumë festivale janë krijuar dhe janë zhdukur por jazz in Albania, është dhe shpresojmë që do të vijojë të jetë”, thotë instrumentisti Ermal Rodi.
Në Shkodër mikpritësja e këtij Festivali bëhet Qendra Arka përgjatë të premtes e së shtunës në mbrëmje.