Ekonomi

Nis hartimi i projektbuxhetit 2026, mund të arrijë në 8.8 mld €! Ekspertët: T’i dedikohet bujqësisë dhe zhvillimit

12 Tetor, 13:45| Përditesimi: 12 Tetor, 14:16

  • Share

Ministria e Financave ka nisur hartimin e projektbuxhetit për vitin 2026 që pritet të shoqërohet edhe me paketë fiskale, me ndryshime në taksa. Edhe pse ende nuk është finalizuar ndarja e buxhetit sipas Ministrive, ekspertët sugjerojnë që vëmendjen kryesore ta marrë sektori i bujqësisë dhe prodhimit, të cilët prej vitesh janë në krizë.

***
Prej javësh në Ministrinë e Financave po ‘gatuhet’ buxheti i parë i qeverisë ‘Rama 4’, ku institucionet po raportojnë kërkesat për fonde për vitin 2026.

Paralelisht po punohet për rishikimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, për shkak të ndryshimit të organikës të ministrive, të cilat duhet të mbështeten me fonde buxhetore.

Nëse do të bazohemi tek kuadri makroekonomik 2026-2028, buxheti i ardhshëm pritet të arrijë në 8.8 miliardë euro, por për shkak të ecurisë pozitive të të ardhurave të këtij viti, shpenzimet për 2026-ën mund të jenë edhe më të larta, por nuk është finalizuar një vlerë konkrete ende, pasi konsultimet me ministritë vijojnë.

Buxheti i 2026-ës duhet të ‘pagëzohet’ i bujqësisë dhe prodhimit thonë ekspertët e ekonomisë, për shkak edhe të krizës që ka përfshirë këto dy sektorë.

“Buxheti ka rol katalizator në stimulimin e degëve dhe sektorëve të ndryshëm dhe kjo lidhet me politikat fiskale që ndiqen njëkohësisht me sektor që stimulohen dhe gjithçka që i shërben rritjes së prodhimit vendas, rritjes së fuqisë konkurruese dhe eksportuese të ekonomisë tonë kombëtare”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

“Buxheti i vitit të ardhshëm duhet patjetër që të fokusohet tek bujqësia dhe tek çdo sektor që prodhon”, shprehet pedagogia Romina Radonshiqi.

Vitin që vjen mbështetja për fermerët pritet edhe më tej, ndërkohë Report TV mëson se një rishikim tërësor i skemës kombëtare po diskutohet në Ministrinë e Bujqësisë.

Sa më shumë para të hidhen për bujqësinë, aq më shumë jetë do të marrë fshati thonë ekspertët, të cilët buxhetin e këtij sektori e vlerësojnë jetik për të frenuar edhe emigracionin.

“Pse dhe ne mos të jemi një vend i cili subvencionon më shumë bujqësinë, mbështet më shumë bujqësinë? Ndikojmë më shumë tek tregu i punës dhe te tregu i punës pikërisht tek zonat rurale aty ku dhe fshatrat po boshatisen. Do të ndikojmë pozitivisht në frenimin e emigracionit se pikërisht një pjesë e mirë e individit të cilët ndodhen në zonën rurale që e shohin bujqësinë si një mjet për të për të punuar dhe pse jo dhe për të bërë biznes do të ndikojë pra që ato të mos largohen nga Shqipëria minimalisht këto individë të cilët janë këtu”, thotë ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Për vitin që vjen pritet të ketë më shumë buxhet për sigurinë, si detyrim edhe ndaj politikave të NATO-s. Po ashtu pritet rritje e fondeve për shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën rrugore.

Projektbuxheti i vitit 2026 pritet të jetë gati në fund të këtij muaj, dhe do të shoqërohet edhe me paketë fiskale, ku pritet të preken TVSH-ja në bujqësi për të rritur rimbursimin që sot është 0%, tatimi mbi pagat pasi rritet paga minimale si dhe do rishikohen taksat e pronave.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • George: 12/10/2025 23:10

    Buxheti duhet t'i dedikohet zhvillimit te Industrise Ushqimore.

    Përgjigju
  • Buxheti 2026: 12/10/2025 16:30

    pas daljes nga varferia Ekstreme (pensionisteve) pra pension minimal de facto 200€ ne 2026 dhe rritja me shkalle ! Do ishte mire nga buxheti 8.8 miliard€ , 1.4 miliard € tja dedikoje shteti parqeve ne qytete ! Cdo liqen(ish rezeevuar ) dhe qytetet tju bejne minimumi 3 parqe model ne qytete 30,000-140,000 banore dhe Tirana Durres mbi 7 parqe te reja ! Kjo i jep 1.1 milard€ mirqenie mushkerive dhe shendetit te popullates ! Kamez meriton 3 parqe qyteti ( kamza park city ) ne 2-3 zona Pse jo dhe liqeni afer Zall herr !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?