Delina Ibrahimaj

Nis Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes, Ibrahimaj: Synojmë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit

13 Nëntor 2023, 13:11| Përditesimi: 13 Nëntor 2023, 13:14

  • Share

Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes ka nisur sot dhe do të zhvillohet në datat 13-19 nëntor 2023 përmes organizimit të mbi 60 aktiviteteve në katër qytete të Shqipërisë, Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Vlorë.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në eventin hapës të Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes, i cili u zhvillua në ambientet e Piramidës, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të biznesit dhe parterëve ndërkombëtarë që mbështesin këtë iniciativë të rëndësishme.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e organizimit të Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të një sërë aktorëve të ndryshëm, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe përmirësimit të klimës së biznesit.

Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes, tha Ministrja Ibrahimaj, synon të shërbejë si një tryezë diskutimi ku të gjithë të shprehin mendimet e tyre pa rezerva, të identifikojnë sfidat dhe të ndër veprojnë së bashku në mënyrë që këto sfida t’i kthejnë në avantazhe konkurruese.

Në një kohë që ekonomia e vendit po performon pozitivisht, ku teknologjia e inovacioni dhe dixhitalizimi janë zhvilluar në nivele të larta, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi nevojën e krijimit të infrastrukturës së duhur për t’i përdorur këto zhvillime sa më mirë të jetë e mundur për ekosistemin ekonomik të vendit.

“Kjo javë do t’i japë mundësinë sipërmarrësve dhe bizneseve të vogla të flasim për mënyrat se si mund të rritet një biznes, se i nëpërmjet inovacionit mund të zhvillohet dhe mund t’i shërbehet ekosistemit ekzistues ekonomik, se si start up-et mund të bashkëveprojnë më mirë me bizneset ekzistuese, si start up-et duhet të krijojnë ide për zhvillimin e atyre sektorëve strategjikë që tashmë Shqipëria ka dhe atyre sektorëve që kanë potencial më të lartë qoftë për zhvillim vendas, qoftë për ndërkombëtarizim. Gjatë kësaj Jave, start up-et do të kenë mundësi të prezantojnë idetë e tyre, publikut të gjerë dhe atyre bizneseve të cilët kanë kapitale për të investuar”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Po ashtu, sipas Ministres, nisma e Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes do krijojë mundësinë që organizatat mbështetëse të biznesit, inkubatorët, përshpejtuesit, dhomat e tregtisë dhe organizata të tjera mbështetëse të shfaqin ekspertizën dhe vizionin e tyre për sfidat aktuale, si burimet njerëzore, rritja e produktivitetit apo ndërkombëtarizimi i ekonomisë.

“Kjo Javë do t’i shërbejë më së miri Qeverisë dhe politikëbërësve, të cilët do të kenë afër të gjithë komunitetin e sipërmarrjes, me synim diskutimin rreth zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e standardeve dhe shërbimeve që qeveria ofron për ta”, tha Ministrja Ibrahimaj.

Gjatë Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes do të zhvillohen sesione të dedikuara, me fokus në:

Sipërmarrës, Startup-e dhe Biznese (zhvillimi i biznesit përmes E-Commerce; zhvillimi i Modeleve të Inteligjencës Artificiale në gjuhen shqipe; siguria kibernetike - Si duhet të mbrohen SME-të shqiptare nga rreziqet e ditëve të sotme: ndërmarrjet e Gjelbra dhe mbështetja e Start-ups në Turizëm dhe Agropërpunim në Shqipëri"; Mbrojtja e biznesit përmes pronësisë intelektuale)

Ekosistemi (Financimi i NVM-ve dhe startup-ve shqiptare; Sfidat e Personelit dhe Automatizimi në Industrinë e Turizmit; Siguria kibernetike - Si duhet të mbrohen SME-të shqiptare; Sfidat e informalitetit në ekonomi; Ndikimi i Diasporës në Zhvillimin e Sipërmarrjes Shqiptare)

Politikat e zhvillimit gjithëpërfshirës (Gratë në Sipërmarrje-Histori Suksesi nga Shqipëria; Zhvillimi Rajonal; Rritja e konkurrencës së SME-ve dhe integrimi i zinxhirit të vlerës; Hartimi i praktikave të mira kundër korrupsionit në bizneset e huaja në Shqipëri dhe më gjerë; Sektori bankar dhe Fintech në Shqipëri)

Përmirësimi i Klimës së Biznesit (Vizita në Biznese të suksesshme shqiptare në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë; Diskutime virtuale me përfaqësues të bizneseve rurale; Diskutime për industrinë kreative; Strategjitë për rritje të Start-up-ve).

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?