TIRANË- Mijëra besimtarë të krishterë në mbarë vendin kremtuan festën e Pashkës me meshat që u mbajtën në të gjitha kishat ortodokse dhe ato katolike. Në kryeqytet, meshat u mbajtën në Katedralen Katolike "Shën Pali" dhe në Katedralen Ortodokse "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.
Në orën 22:00 nisi kremtimi në Katedralen Katolike "Shën Pali", ku besimtarët u mblodhën për meshën e Pashkëve, festën më të madhe të kalendarit të krishterë që simbolizon ringjalljen e Jezus Krishtit.
Në lutjen e tij përpara besimtarëve, Arqipeshkvi i ri i Kishës Katolike Imzot Arjan Dodaj përcolli një mesazh për paqe dhe mbrojtje nga lufta.
"O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amëshuar, na mbro! Kështu që kisha të shohë atë që kemi besuar. Bëj më të mirën për ne, Zoti ynë. Ti ngre atë që ka rënë poshtë dhe ti mbron atë që është në luftë. Amen!"
Një orë më vonë, në orën 23:00, kremtimi vazhdoi në Katedralen Ortodokse "Ngjallja e Krishtit" në qendër të Tiranës. Mesha u drejtua nga Krypeshkopi Joan, i cili dha mesazh shprese. Besimtarët ortodoksë, sipas traditës, marin dritën pas përfundimit të meshës.
"Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim. Kemi sigurinë se dashuria e Tij është më e fortë se urrejtja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Ata që shpresojnë te Zoti do të ripërtërijnë forcën e tyre. Nëse do të ndizet drita e ngjalljes, edhe marrëdhëniet mes njerëzve do të ndriçohen. Sakrificat janë të domosdoshme për shërimin tonë shpirtëror.
Ndoshta sot më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës. Ngjallja e Krishtit na premton një të ardhme të ndryshme. Ai na ka bërë pjesëtarë të ngjalljes së Tij. Sakrifica, ashtu si bekimi, nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme”, tha Kryepeshkopi Joan.
Sipas traditës, ndryshe nga besimtarët katolikë, besimtarët ortodoksë marrin dritën pas kremtimit dhe e çojnë atë në shtëpitë e tyre, si një simbol të ringjalljes dhe shpresës.
Me meshat e së shtunës në mbrëmje dhe dreka e së dielës (19 dhe 20 prill), besimtarët e Krishterë në të gjithë botën kremtojnë festën më të rëndësishme të kalendarit të tyre, Pashkën.
Këtë vit, Pashkët e të gjithë besimtarëve të krishterë, katolikë, ortodoksë apo edhe protestantë, përkojnë në të njëjtën ditë.
Në vigjilje të kësaj feste të bekuar, nuk kanë munguar as urimet nga krerët e shtetit dhe politikës.
Shqiptarja.com dhe Report Tv ju urojnë: Gëzuar Pashkën!
Drita e Krishtit u përcoll nga besimtarët edhe në katedralen “Nënë Tereza” të dioqezës së Sapës, në Vau-Dejës. Kreu i Kishës Katolike në veri të Shqipërisë, ipeshkvi Monsinjor Simon Kulli, i ftoi besimtarët që të ndjekin shembullin e mirë të jetës duke u larguar nga e keqja, pasurimi i menjëhershëm, dhuna, konfliktet dhe vrasja. Edhe në kishat katolike të Pukës dhe Fushë-Arrëzit, besimtarët katolikë pritën çastin e gëzueshëm të Ringjalljes me shpresën për një botë më të mirë. Famullitarët e Kishës Katolike në këtë zonë, Dom Zef Marku dhe frat Andreas Ëalterman, u ndalën te bota e trazuar në të cilën jetojmë, duke i ftuar besimtarët të jetojnë sipas shembullit të Krishtit, si e vetmja mënyrë për të arritur faljen dhe paqen. Besimtaret ortodoksë gjirokastritë kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë dita e sotme Ringjalljen e Krishtit. Katedralja e “Ngjalljes së Krishtit” ka mbledhur me qindra besimtarë duke uruar njëri-tjetrin- "Krishti u Ngjall”. Kambana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit. Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë vendas në ambjentet e jashtme të katedrales, u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndeznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re. Së bashku me të dhe vezët e Pashkës me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishtërimin ortodoks në mbarë botën. Ceremonitë fillestare ortodokse në Kishën e “Ngjalljes së Krishtit”, kanë filluar të Premten e Madhe në përkujtim të kryqëzimit të Jezu Krishtit ku besimtarë të shumtë janë lutur për më shumë paqe, mirësi dhe begati, për më shumë dashuri mes njerezve. Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet. Mijëra besimtarë ortodoksë kanë kremtuar festën e pashkëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, qytet i cili ka krijuar një traditë të veçantë në festimin e kësaj dite. Të gjithë besimtarët, jo vetëm korçarë por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, që kishin mbushur sheshin para Katedrales dhe përgjatë pedonales së qytetit, morën dritën e qirinjve dhe e çuan sipas traditës në shtëpitë e tyre me shpresën se kjo “Pashkë do të sjellë më shumë mbarësi”. Ashtu si çdo vit, qyteti i Korçës është kthyer në një nga pikat referuese të të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe jo vetëm, që e zgjedhin për të kaluar festën e Pashkëve. Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, të krishteret në Lezhë, kremtuan pashket. Qindra besimtar ju bashkuan meshës së shenjtë që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit, e cila u mbajt në katedralen e “Shën Nikollit”. Rituali i cili zgjati deri në mesnaten e së shtunës, u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës monsinjor Otavio Vitale i cili në fjalen e tij para besimtareve, duke ju referuar simbolikës së festës së pashkëve tha kjo është natë që shpëton mbi tokë besimtaret dhe Jezu Krishtin nga mekati dhe korrupsioni i botes. Pas meshës së shenjtë besimtarët e Krishterë janë drejtuar në shtëpitë e tyre me dritën e jetës dhe mesazhin Krishti u ringjall. Pashket janë festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave te tjera te krishtera, te cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikunder e tregon Beselidhja e Re. Qindra besimtarë ortodoksë iu bashkuan meshës së shenjtë të Pashkëve në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Mesnata që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit kulmoi në sheshin jashtë oborrit të kishës, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar. Pas meshës ata kryen edhe ceremoninë e thyerjes së vezëve të kuqe me urimin “Krishti u ngjall”. Në mesazhin e tij mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e tin, Imzot Nikolla Hyka, i cili drejtoi edhe meshën e madhe, theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket të mirës dhe jo të keqes, teksa vuri theksin edhe te rëndësia e dashurisë, paqes dhe unitetit në këtë periudhë të shenjtë. “Gjatë Pashkëve ne këndojmë, vrapni dhe i shpallni botës se si u ngjall Zoti duke shkatërruar vdekjen. Ai është biri i Pernëdisë. Ndoshta sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për mesazhin e Pashkës, sepse ngjallja nuk është thjesht një ngjallje e kaluar, por një përvojë e vazhdueshme për çdo kohë, brez dhe çdo shpresëë. Dritë dhe gëzim në jetën tonë dhe s’duhet të mbytemi në detin e hidhëtrimit. Pavarësisht se sa të vështiira mund të jenë problemet tona, Ngjallja e Krishtit na premton një të ardhme krejtësisht të ndryshme. Ngjallja e Krishtit nuk është një kremtim që ka të bëjë me ne, se na bëri pjesëtarë të ngjalljes së tij nëpërmjet plotësisë së natyrës së tij njerëzore. Ngjallja e tij prek dhe transformon të gjithë njerëzit duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke e bërë tregues të plotësimit përfundimtar të natyrës tonë njerëzore. Për Pashkë jemi thirrur të përqafojmë njër-tjetrin, të falim njëri-tjetrin, të mund të thërrasim me zemër të pastër Krishti u ngjall.” Qindra besimtarë të krishterë në Vlorë i janë drejtuar Kishës së Shën Theodhorit. Ndërsa kanë pritur mesnatën duke marrë edhe flakën e shenjtë nuk ka munguar urimi Gëzuar Pashkët. Urimi është përcjellë pas meshës nga At konstandin Prifti si edhe nga besimtarët vlonjatë. Kisha e Shën Theodhorit në Vlorë priti qindra besimtarë të pranishëm në meshën e shenjtë dhe me urimin për më shumë dashuri. Për të gjithë besimtarët ortodoks në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për jetën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” nga Imzot Asti, i shoqëruar nga At Johan Qako dhe At Petraq Simsia. Ceremonia e shenjtë e pashkëve u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë për më shumë paqe e shëndet. Mesha e ringjalljes s Krishtit u shoqërua me lutjet sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit. Mesnata, që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar. Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare. “Gëzuar dhe përshumëvjet Pashkët, Krishti u ringjall. Kjo është ditë e bekuar për ne ortodoksit.”, u shpreh një besimtar. “Sot është festë shumë e bukur, është ringjallja e Krishtit dhe me këtë uroj të gjithë besimtarët.”, uroi një tjetër. “Uroj të gjithë besimtarët ortodoksë dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë gëzuar Pashkët.” Vigjilja e Pashkës është kremtuar këtë mbrëmje (19 prill) edhe në kishën katolike të shënjtërve “Pjetri e Pali” në Lushnjë. Qindra besimtarë katolikë kanë marrë pjesë në liturgjinë e drejtuar nga dom Paulini. Kremtimet filluan në oborrin e kishës pranë zjarrit që u bekua dhe në fund u ndez qiriu që simbolizon zotin Jezu Krisht. Pas hyrjes në kishë, të gjithë pjesëmarrësit morën dritë nga drita e zotit Jezu Krisht. Kremtimet e Pashkës vijuan me meshën e shenjtë në kishën e shënjtërve “Pjetri e Pali”, ku besimtarët u lutën për paqe e begati në familje dhe uruan njeri-tjetrin për jetën që rilind pas vdekjes dhe fitoren e dritës mbi errësirën.
Mesha u drejtua At Ilia Kotnani, i cili në mesnatë njoftoi “Ringjalljen e Krishtit”, nën tingujt e kambanave e ndezjen e qirinjve me dritën e shpresës, me fjalët “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.
Komente
BARSALETA Jozefi, i ati i Jezusit ishte marangoz, dhe ndër të tjera bënte edhe arkivole. Një ditë i shkon te punishtja e tij një familjar i Llazarit. Familjari i Llazit: Përshëndetje Jozef! Jozefi: Përshëndetje! Ç'e mirë të solli këtu! Familjari i Llazit: Një vaki! Ndërroi jetë Llazari sot, pak më parë. Jozefi: Ngushëllime,! Ç'thua kështu?! Si ndodhi? Ai dje qe mirë! Familjari I Llazit: Lëre aman! Jemi pikëlluar sa më s'ka! I ra si damlla lumadhit! Dëgjo! Unë kam ardhur të porosis një arkivol për Llazin. E di që ti je mjeshtër. Jozefi: Patjetër, pa merak. Për rreth një orë e ke gati. Familjari I Llazit: Dakord. Faleminderit! (Pas një ore familjari i Llazit shkon te Jozefi) Jozefi: Sa mirë që erdhe tani. Fiks në kohë. Sapo e mbarova porosinë tënde. E ke gati arkivolin. Familjari I Llazit: Lëre,anuloje porosinë! Ndodhi mrekullia! Llazari u ngjall! Jozefi: Çfarë? Si ka mundësi? Kush e ngjalli aman?! Falijari I Llazit: Yt bir, Jezusi! E falenderoj pamasë! Jozefi: Jezusi e bëri këtë? Ça idioti! Ky djalë do më lërë pa punë mua! Më tha Zoti që është bekim, por me sa shoh, më paska gënjyer! Si nuk gjeti një grua tjetër Zoti që të bënte fëmijën e vet! Marian time gjeti! Kështu është kur s'ka shtet! Të kishte bërë një ligj kundër bigamisë! Dhe e shifte Zoti pastaj!
Përgjigju