Sot nisi muaji i shenjtë i Ramazanit, ku besimtarët myslimanë nisin agjërimin. Për të dytin vit radhazi nën masat kufizuese të pandemisë, Imami i xhamisë ‘Dine Hoxha’, Ahmed Kalaja tha se me bërjen e vaksinave situata është paksa më e sigurt, por sërish thirrjet për kujdes janë të pranishme gjatë gjithë kohës për besimtarët. Në një intervistë për Report Tv, Imami Kalaja tha se bërja e vaksinës gjatë agjërimit nuk e prish atë pasi nuk konsiderohet një proces i drejtpërdrejt i ushqimit.
“Ramazani ka një namaz që bëhet bashkërisht dhe kjo është e vështirë të shmanget për shkak të COVID. Duk pasur parasysh që Xhamia e Et’hem Beut dhe xhamia e madhe nuk është hapur është normale të ketë dyndje në xhamit që e tjera. Por mundohemi që vazhdimisht t’i këshillojmë. Ramazani në vetvete edukon disiplinën tek njerëzit. Edhe vaksinimi ka ndikuar që situata të jetë pak më e sigurt se më parë. Është e vërtetë që vaksina nuk e prish agjërimin pasi nuk ka lidhje me procesin e të ushqyerit drejtpërdrejtë. Nuk prishet agjërimi nga vaksina”, tha imam Kalaja.
Duke folur për muajin e shenjtë Ramazanit, Imam Kalaja tha se kjo nuk ka të bëjë me mosngrënien por me forcimin e marrëdhënies me Zotin dhe njerëzit.
“Ne duhet të rregullojmë raportet tona me Zotin por dhe me njerëzit dhe për këtë ka iftare, syfyr dhe ndarja e ushqimit me të varfrit. Qëllimi kryesor është të jesh i përkushtuar, i devotshëm dhe larg gjërave që sjellin uljen e vlerave njerëzore”, tha imam Kalaja.