Këtë të shtunë, besimtarët myslimanë nisën një udhëtim shpirtëror të mbushur me përkushtim dhe reflektim: Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Për 30 ditë, ata i përkushtohen agjërimit, një akt i thellë sakrifice dhe devotshmërie.
Merita Bimi, një grua 61-vjeçare prej një dekade e praktikon agjërimin. Një ditë para nisjes së Ramazanit, e gjejmë në Xhaminë e Madhe, duke u lutur, ndërsa na rrëfen se ky muaj i sjell paqe dhe emocion të veçantë.
“Kam 10 vjet, jetoj në Itali. Atje nuk i kemi shumë kushtet por përpiqemi t’i falemi zotit. Është shumë e rëndësishme ke një gjendje shpirtërore, emocionuese. Është një gjë e mrekullueshme. E ndjen!”. tha ajo.
Besimtarët e rinj po ashtu po e “përqafojnë” Ramazanin me vullnet dhe përkushtim
Për Denisin, një 17-vjeçar që ka dy vite që agjëron, ky muaj nuk është i vështirë, por një mundësi për të reflektuar dhe për t’u shpërblyer.
'Nuk është shumë e vështirë. Mjafton thjeshtë të ushqehesh mirë në syfyr. Por ka shumë shpërblime dhe është muaji më i veçantë për myslimanët', tha ai.
Në Shqipërinë e bashkëjetesës fetare, disa të huaj, besimtarë ortodoksë dhe katolikë të cilët vizitojnë si turistë Xhaminë e Madhe, japin mesazhe inkurajimi për ata që e respektojnë këtë muaj të shenjtë.
“Ju mund ta bëni këtë, është një moment i bukur për ju! Pas përfundimit do të keni kaq shumë shpërblime. Besoj se ju mund të gjeni veten pas kësaj, pas sakrificave.”
“Thjeshte bëjeni nëse e ndjeni. Nëse ju besoni në të vërtet në zot.”
“Të gjitha fetë janë njësoj, nuk është e nevojshme të ketë luftëra për fetë apo edhe besimin. Kjo është një ëndërr, por të gjithë mund të ëndërrojmë apo jo?”
Duke iu referuar kalendarit Islam, Ramazani është muaji i nëntë i vitit hënor, një kohë e shenjtë ku, sipas traditës islame, Profeti Muhamed mori shpalljen e Kuranit “si udhërrëfyes për njerëzit me drejtësi dhe shpëtim” .
Komente
