Nis mësimi tek Mjekësia dhe Inxhinieria, zëvendësohen në fundjavë orët e humbura nga tërmeti

6 Janar 2020, 17:14| Përditesimi: 6 Janar 2020, 17:21

  • Share

TIRANE - Data 6 janar ka shënuar dhe rifillimin e procesit mësimor në Universitetin e Mjekësisë dhe ne Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit.  Në këto fakultete mësimi ishte pezulluar përgjatë muajit dhjetor me vendim të Rektoratit për shkak të dëmeve që godinat kishin marrë prej tërmetit të 26 nëntorit.

Dhe me rifillimin e mësimit, ka nisur dhe zëvendësimi i orëve të humbura. Në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit  prej situatës së shkaktuar nga tërmeti është pezulluar mësimi për afër 3 javë e gjysmë. Por orët e humbura do të zëvendësohen gjatë fundjavave.

Më saktësisht, prej datës 6 janar e deri më 14 shkurt, kur përmbyllet dhe semestri i parë, do të bëhet mësim për 6 shtuna dhe një të dielë. Tre të shtuna gjatë muajit janar, tre të shtuna gjatë muajit shkurt dhe një të diel të muajit shkurt.

Zëvendësimi i orëve do të vijojë dhe gjatë semestrit të dytë, ku do të zhvillohet mësim dhe për 5 të shtuna radhazi, deri më 30 maj.

Nga pezullimi i mësimit në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit u prekën rreth 2000 studentë.

Dhe në Universitetin e Mjekësisë, fakultetet kanë bërë një plan të detajuar për zëvendësimin e orëve të humbura. Më konkretisht një pjesë e orëve do të zëvendësohen gjatë fundjavave por njëkohësisht do të zhvillohet mësimi gjatë ditëve të javës me orar të shtuar. Më këto ritme pritet që studentët të rikuperojnë orët e humbura por duke ju rikthyer normalitetit dhe ritmit të vitit.

Përsa i përket shkollave të përkohshme që janë themeluar pranë hoteleve ku janë sistemuar banorët e mbetur të pastrehë si pasojë e dëmeve të marra në banesa për shkak të tërmetit të 26 nëntori, disa prej tyre vijojnë ende të jenë funksionale. Fëmijët e familjeve që kanë marrë bonusin e qirasë dhe janë zhvendosur prej hotelit, kanë shkuar në shkollat dhe kopshtet më të afërta.

Ndërsa ka ende një numër minimal nxënësish nëpër hotele, ndaj për to vazhdon ende shkolla e përkohshme.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?