DURRËS- Në sektorin ‘Iliria’ në plazhin e Durrësit ka nisur ndërhyrja për heqjen e materialeve të brave dhe restoranteve për zgjerimin e shëtitores.
Për zgjerimin e shëtitores, janë njoftuar subjektet që kanë struktura të ndryshme në gjurmën ku kalon projekti duke i zhvendosur.
Nuk bëhet fjalë për objektet e mëdha por për çadrat dhe strukturat e lehta. Pasi kanë marrë njoftimin, subjektet po i zhvendosin vetë.
Lungomarja e Durrësit do të fillojë nga ura e Dajlanit dhe do të vazhdojë deri te godina e Kavalishencës, në 3 kilometër vijë bregdetare. Studimi parashikon që të ketë një unifikim në vijë të njëtrajtshme nga fillimi në mbarim, ndërsa shëtitorja do të ketë kënde lojërash për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, hapësira sportive dhe facilitete që lidhen me përdorimin e ambienteve higjieno-sanitare, dhoma zhveshje e dushe. Po ashtu do të ketë edhe një pistë për biçikletat në krah të asaj për këmbësorët. Në të ardhmen kreu i qeverisë paralajmëroi në prill se do të krijojë një strukturë të ngjashme me palmën në Dubai, vetëm se në Shqipëri do të jetë Shqiponja.