Në fshatin Menkulas të Devollit, vendlindja e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, është hedhur hapi i parë drejt realizimit të një ëndrre të kahershme: ndërtimi i Shtëpisë-Muze kushtuar figurës së tij.
Ky projekt kulturor do të ruajë përjetësisht kujtimin dhe trashëgiminë e një prej emrave më të ndritura të letërsisë shqipe, duke u bërë një homazh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe një urë lidhëse mes brezave.
Në këtë ngjarje të veçantë ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj Baba Mondi si dhe vajza e shkrimtarit, Elona Agolli, të cilët morën pjesë në ritin tradicional të kurbanit, duke e bekuar simbolikisht ndërtimin e muzeut.
Elona Agolli, e emocionuar, ndau kujtime të veçanta nga jeta e të atit, duke e rikthyer në sytë e të pranishmëve jo vetëm si një kolos të letrave shqipe, por edhe si një baba plot dashuri.
Shtëpia-Muze e Dritëro Agollit pritet të shndërrohet në një qendër të gjallë kulturore. Aty do të ekspozohen dorëshkrime origjinale, objekte personale, fotografi dhe dokumente arkivore, duke u kthyer në një pikë referimi për çdo vizitor dhe të ri që dëshiron të prekë nga afër jetën dhe veprën e këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare.
Komente
