Kombëtarja kuqezi është mposhtur me rezultatin 3-1 kundër Republikës Çeke në miqësoren e zhvilluar në Pragë. Të besuarit e Edi Reja u futën në këtë 90 minutësh për të lënë pas zhgënjimit me Uellsin tre ditë më parë kur nuk goditën në asnjë rast portën, por edhe në këtë herë përshtypjet që u krijuan nuk ishin pozitive.
Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 18 nga Patrick Schick, i cili goditi fluturimthi për të dërguar çekët në avantazh. Gjithsesi ky nuk do të ishte goli i bukur i sfidës pasi për këtë mendoi Cikalleshi pak para se të mbyllej pjesa e parë. Perla e sulmuesit ishte edhe gjëja më pozitive që kombëtarja prodhoi në fushë në këtë sfidë miqësore.
Në pjesën e dytë çekët ishin sërish të qartë në atë që kërkonin dhe me anë të Masopust kaluan sërish në avantazh nga një kënd i prirët. Më tej pati kohë edhe për golin e tretë që u realizua nga Celustka 2 minuta para fundit të kohës së rregullt. Bare tentoi t’i ndryshonte shifrat në frymën e fundit, por pengesë u bë shtylla pingule.
Të dy kundërshtarët e kombëtares në këto miqësore, si Uellsi ashtu edhe Republika Çeke, janë pjesë e Europianit, ndërsa përballjet me ta vlenin në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Botërorit në shtator.
FORMACIONET ZYRTARE:
ÇEKIA: (4-2-3-1): Vaçlik, Kufal, Çelustka, Kalas, Bohl, Kral, Suçek, Mazopust, Darida, Jankto, Shik, Trajner: J.Silhavi
SHQIPËRIA: (3-5-2): Selmani, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Trashi, Kallaku, Bare, Abrashi, Veseli, Çikalleshi, Manaj, Trajner: E.Reja
89’ Celuska shënon edhe golin e tretë për Republikën Çeke, duke hipotekuar fitoren ndaj kombëtares shqiptare.
69’ Lucas Masopust ka kaluar në avantazh 2-1 Republikën Çeke kundër Shqipërisë. Goli erdhi pas një goditje në hyrje të zonës nga një kënd shumë i prirët ku portieri mund të kishte bërë më shumë.
56’ Reja është bërë objekt sulmi për kundërshtarët. Pasi u hodh në tokë në ndeshjen me Uellsin e njëjta situatë është përsëritur edhe në ndeshjen që po luhet aktualisht kundër Republikës Çeke. Pas sekonda pas një tensioni në mesfushë trajneri është shtyrë nga një futbollist çek dhe është rrëzuar sërish në fushë. Kjo ka shkatuar një tjetër përplasje mes stafeve të dy ekipeve.
42’ Sokol Cikalleshi ka realizuar një eurogol nga jashtë zone për kombëtaren kuqezi, duke barazuar rezultatin në 1-1 kundër Republikës Çeke.
18′ GOL ÇEKIA 1-0/ Zhbllokohet miqësorja. Patrik Shik realizon me një gjuajtje fluturimthi brenda zonës, duke e dërguar topin në cepin e portës.