Foto ilustruese

Kronikë

Nis nesër vaksinimi i farmacistëve në Tiranë

6 Prill 2021, 17:02| Përditesimi: 6 Prill 2021, 17:26

  • Share

Ditën e nesërme do të nisë vaksinimi i farmacisteve në Rajonin e Tiranës. Lajmi u bë i ditur nga Urdhri i Farmacistëve nëpërmjet një postimi në Facebook.

Çdo farmacist që është i interesuar të vaksinohet, duhet të regjistrohet duke plotësuar një formular me të dhënat përkatëse, ku më pas lista do t’i dërgohet qendrave të vaksinimit.

“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se ditën e nesërme nis procesi i vaksinimit për farmacistët e Rajonit të Tiranës. Të gjithë farmacistët që janë të interesuar të vaksinohen, të plotësojnë formularin e mëposhtëm me të dhënat përkatëse, në mënyrë që të hartohen listat që do i dërgohen qendrave të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon me ritme mjaft të shpejta, ndërsa Barometri global e renditi Shqipërinë në vendin e parë për ritmin e vaksinimit në 7 ditët e fundit, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat e nisën më herët vaksinimin.

Në ditën e 9-të të vaksinimit që ishte dje u raportua për  13.826 vaksinime të bëra në total, ndërsa që fillimi i fushatës së vaksinimit që ka nisur në datën 11 janar, janë vaksinuar 206,708 qytetarë.

Ndërkohë duket se vaksinimi do të vijojë po me këto ritme, pasi dje erdhën në vend rreth 7 mijë doza të reja të Pfizer, që janë vetëm pjesa e parë e 22.230 dozave të kësaj vaksine që pritet të vijnë deri më 20 prill.

Po ashtu, ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama bëri me dije se brenda 10 ditësh do të vijnë edhe 50 mijë vaksina ruse sputnik V.

Ndërkohë, aktualisht në vend po vazhdon vaksinimi i gazetarëve dhe uniformave blu dhe i të moshuarit mbi 70-vjeç.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?