Gianni Infantino, kreu i FIFA-s

Sport

Nis numërimi mbrapsht, Infantino premton spektakël një vit para Botërorit: Ëndrrat po bëhen realitet

13 Qershor, 12:05| Përditesimi: 13 Qershor, 12:12

  • Share

Një vit na ndan nga Kupa e Botës FIFA 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit dhe atmosfera festive ka nisur zyrtarisht në 16 qytetet pritëse të Botërorit që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për të shënuar këtë moment historik, në secilin nga qytetet pritëse është zbuluar ora zyrtare e numërimit mbrapsht, e vendosur në pika ikonike urbane, që do të shënojë çdo sekondë deri në 11 qershor 2026, kur në Mexico City do të ngrihet sipari i turneut më gjithëpërfshirës ndonjëherë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e cilësoi këtë ditë si një festë botërore.

“Një vit nga tani, shfaqja më e madhe e futbollit në planet do ta magjepsë botën si kurrë më parë. Ky është më shumë se një turne, është një festë globale e lidhjes, unitetit dhe pasionit. Nga çdo cep i botës, ëndrrat po shndërrohen në realitet, teksa ekipet po kualifikohen dhe tifozët bëjnë planet e tyre për t’u bërë pjesë e historisë”, tha ai.

Botërori 2026 do të jetë unik në shumë aspekte. Për herë të parë në histori, ai do të zhvillohet në tre shtete dhe do të përfshijë 48 ekipe kombëtare, duke e shndërruar në eventin më të madh të FIFA-s deri më tani.

Organizatorët presin që turneu të mirëpresë mbi 6.5 milionë tifozë në stadiume, një rekord që reflekton jo vetëm përmasat e evenimentit, por edhe ndikimin e tij global. Me gjithë vëmendjen e planetit të përqendruar në Amerikën e Veriut, FIFA synon të bashkojë kontinentet përmes gjuhës së përbashkët të futbollit.

Me përgatitjet që intensifikohen nga dita në ditë, numërimi mbrapsht tashmë ka nisur dhe bota po pret me padurim spektaklin e vitit 2026.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni sulmet mes Izraelit dhe Iranit?