TROPOJË- Në fshatin Dushaj të Tropojës ka nisur ndërtimi i një fabrike për prodhim asfalti, e cila mësohet se është në pronësi të Avni Byberi, i afërm i kryetarit të bashkisë Tropojë Rexhe Byberi. Kundër ndërtimit të kësaj fabrike, qytetarët janë ngritur në protestë duke bllokuar rrugën nacionale Koman-Bajram Curri nga ora 07:00 deri në 9:30 kur i ka shpërndarë policia.
Report Tv mëson se në protestë kanë dalë banorët e disa fshatrave Geghysen, Dushaj i Poshtëm i Epërm. Ata kërkojnë të mos ndërtohet fabrika, pra të anulohet leja që ka dhënë ministria e mjedisit. Më herët, banorët kanë firmos një peticion me 450 firma që e kanë dërguar në të gjitha institucionet, si bashki, këshilli i qarkut, ministria e mjedisit, transporteve, kryeministri.
Shkëlqim Dushaj, i cili ka punuar 20 vite në emigracion dhe ka ngritur një bujtinë në fshatin e lindjes, tha në bisede telefonike për Report Tv se "protestat nuk do të ndalen deri në anulimin e lejes së mjedisit për fabrikën e bitumit që po ndërtohen vetëm 200 metra larg banesës dhe biznesit të tij".
Ai gjithashtu, akuzon zyrtarët e bashkisë se kanë falsifikuar dokumentet, siç janë koordinatat në hartë për të miratuar lejen e ndërtimit në Këshillin Bashkiak.
Aktualisht, sipas banorëve fabrika është në ndërtim e sipër është bërë pista dhe është lidhur energjia. Report Tv ka mësuar se fabrika e bitumit është në pronësi Avni Byberi, emri tregtar "BYBERI SHPK" ka qenë në hyrje të Valbonës dhe është çmontuar prej andej pas protestave për ndotje.