Nis puna për shkollën e re ‘Pjetër Budi’, Veliaj sulmon opozitën: Ata djegin goma e bllokojnë rrugët, ne ndërtojmë shkolla

4 Nëntor, 12:54| Përditesimi: 4 Nëntor, 13:02

  • Share

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ironizuar protestat e opozitës me djegie gomash dhe bllokime rrugësh, teksa nënvizoi se përgjigjja më e mirë janë shkollat e reja.

Këtë Veliaj e bëri me dije ditën e sotme teksa ishte i pranishëm në fillimin e punimeve për shkollën e re ‘Pjetër Budi’ në kryeqytet.

Veliaj shprehu bindjen se deri në fund të mandatit, numri i shkollave të reja do të shkojë në 55.

“Kjo është shkolla e 46-të që ndërtojmë. Kur njerëzit më thonë ç’është ky fiksim me shkollat, u them se i vetmi antidot për dhunën, janë shkollat. Ata digj goma, ne ndërto shkolla; ata shty policinë, ne ndërto shkolla. Ata blloko rrugët, ne ndërto shkolla. Shkolla është ilaçi për çdo problem të shoqërisë. Nëse kemi çuna e goca të arsimuar, nëse janë përgatitur për punët e së ardhmes, të gjitha cic-micet, zhurmat e budallaqet e politikës së ditës nuk do i mbajë mend njeri, por shkolla do të ngelet këtu. Me shkollën e 46-të kemi ambicie ta përfundojmë punën në Bashkinë e Tiranës me 55 shkolla të reja në total”, tha ai.

Veliaj tha se shkolla e re do të jetë gati për vitin e ri arsimor.

“Është vërtet gëzim sepse po lind diçka e re, siç është nostalgji se po çmontohet diçka e vjetër. Unë e kam kaluar disa herë këtë përjetim, e kuptoj edhe historinë e Teatrit, ka shumë nostalgji për gjënë e vjetër por do shohim përpara, jo mbrapa. Do punojmë për 100 vitet e ardhshme dhe jo për ato të kaluarat. Sot hapim një faqe të re! Një falenderim prindërve që janë treguar bashkëpunues. Ne do të shmangemi vetëm një vit nga “Pjetër Budi”, për të shkuar te “Vasil Shanto” dhe te “Sabaudin Gabrani”. E kemi afatin 12 muaj, do të mundohemi ta bëjmë për 10 muaj, që ta kapim shtatorin tjetër”, theksoi Veliaj.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e nxënësve dhe të familjeve të tyre, teksa i siguroi se shkolla e re do të ketë standardet më të larta.

“Kush ka parë shkollën ‘Kosova’, ‘Samiun’, ‘Partizanin’, ‘Servete Maçin’, ‘Kristo Frashërin’, ‘Vaçe Zelën’, ‘Nënë Terezën’, do kuptojë se nga hiri, gërmadhat e rrënojat e një gjejë të vjetër do të lindë një gjë e re, shumë herë më e bukur, shumë herë më e madhe, shumë herë më e fortë. Shkolla e re “Pjetër Budi” do të jetë tre herë më e madhe si kapacitet, me terrenet sportive ndoshta më të mirat në Tiranë, e cila do ia shtojë vlerën e pronës të gjithë njësisë 7”, shtoi ai.

Ndërkaq, pas nisjes së punimeve për rindërtimin e shkollës “Pjetër Budi”, Bashkia e Tiranës do të vijojë me shkollat e reja në lagjen ‘Rilindja’, pranë Unazës së Madhe.

 “Pas ‘Pjetër Budit’ do të transferohemi te Unaza e Madhe, te lagjja ‘Rilindja’, ku do të kemi një kompleks çerdhe e kopësht, plus 3 shkolla të reja, dy 9-vjeçare dhe një gjimnaz. Edhe ajo lagje, e cila është një lagje e populluar pas viteve ’90, do të ketë gjithashtu shkollat më të mira në Republikë”, tha Veliaj.

Shkolla e re do të jetë e pajisur me sallë multifunksionale, 1 sallë për fëmijët me aftësi ndryshe, palestër, 1 ashensor dhe ambiente të tjera ndihmëse.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?