TIRANË- Maturantët shqiptarë, pas publikimit të listave me fituesit e raundit të parë, për në Universitet, tashmë ndodhen në fazën e regjistrimeve. Aktualisht janë në fazën e gjashtë, nga shtatë faza 48- orëshe që kanë në dispozicion. Report TV mëson se janë rreth 13.700 maturantë që kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe janë regjistruar në një nga degët ku kanë rezultuar fitues.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, u shpreh për Report Tv se të gjithë studentët, pasi të mbyllet faza e regjistrimeve me datë 15 shtator, do të kenë një ditë kohë për t'u çregjistrime.
“Data 16 është në dispozicion të gjithë maturantëve të cilët janë regjistruar në një program studimi në raundin e parë por e rimendojnë zgjedhjen e tyre. E shikojnë që nga pikët dhe nga kuotat që kanë ngelur bosh, ata mund të kenë një shans për të fituar një degë të cilën e pretendonin në raundin e parë por nuk u regjistruan, dhe mund të bëjnë çregjistrime. Ne nuk presim çregjistrime në masë, në vitet e kaluara ka qenë një shifër që lëviz midis 250-300 maturantëve në total”-u shpreh drejtori i RASH
Sipas Drejtorit të Rrjetit Akademik shqiptar, degët e preferuara në rang kombëtar mbeten ato të shkencave ekonomike ku deri më tani janë regjistruar 22% maturantë.
“Në rang kombëtar kanë qenë të preferuara ashtu si dhe vitet e kaluara ekonomiku, për të gjithë degët e ekonomikut, përfshire financa, banking ekonomiks e të tjera të kësaj fushe, kemi rreth 22% të maturantëve të regjistruar. Pastaj vijojm me degët e shkencave mjekësore ku përfshihen mjekësia, stomatologjia, farmacia, infermjeria e degë të tjera të cilat kanë rreth 14.2%. Një rritje të vogël krahasuar me vitet e kaluara ka mësuesia që momentalisht ndodhet me 12.1% që renditet e treta nga degët e preferuara nga maturantët shqiptarë”-tha Xhelaj
Të gjithë maturantët që nuk janë regjistruar në dy raundet e para, do të kenë dhe një mundësi të fundit me raundin e tretë, i cili nis me datë 30 shtator. Për këtë vit Universitet në Shqipëri nisin me datë 14 tetor.