Nis rehabilitimi i rrugës Krastë – Gizavësh, Gjiknuri: Librazhdi ka një perspektivë shumë të mirë, 'Korridori 8', mundësi zhvillimi

19 Shkurt 2023, 18:42| Përditesimi: 19 Shkurt 2023, 18:43

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Kryetarin e Bashkisë Kastriot Gurra inspektuan punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës "Krastë - Gizavesh" në Librazhd. Falë këtij investimi totalisht me fondet e Bashkisë Librazhd, pritet që të përmirësohet ndjeshëm infrastruktura dhe jeta në këtë zonë, ku numri i turistëve ka ardhur gjithnjë e në rritje.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut përgëzoi punën e bërë nga bashkia e cila me fondet e veta po realizon investime publike.

“Puna flet vetë. Kemi të bëjmë me një fshat që jo vetëm është në një zonë të mbrojtur po është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë që ja vlen të vizitohet. Çfarë vlere kanë këto investime?! Kanë sepse njerëzit këtu kanë investuar, kanë bërë shtëpiat e reja.  Ka përmirësime në infrastrukturë, në furnizimin me ujë, me dritat, tashmë edhe me rrugën.  Ky fshat do të bëhet një fshat jashtëzakonisht i vizitueshëm. Këtu ka përgëzime bashkia. Mirëadministrimi i taksave të qytetarëve përkthehet në vepra publike dhe njerëzit dinë ta vlerësojnë”, tha ai.

Numri dy i socialistëve u shpreh se falë dhe “Korridorit 8”, Librazhdi ka një perspektivë shumë të mirë.

“Unë mendoj që këto nuk janë rastësi. Këto bëhen falë vizionit që kanë të gjithë drejtuesit e bashkive tona të cilët kanë ditur të mirëadministrojnë të ardhurat e njerëzve  dhe të punojnë përditë për të mirën e tyre. Librazhdi jam i bindur që ka një perspektivë shumë të mirë edhe me zhvillimet e tjera që po ndodhin siç është “Korridori 8””, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Kastriot Gurra u shpreh se ndërtimi i kësaj rruge ka qenë një kërkesë e banorëve e cila tashmë po bëhet realitet.

“Kjo është një kërkesë e kahershme e banorëve të Gizaveshit. Kënaqësia tjetër është se ky është një investim me financat e bashkisë Librazhd. Kemi arritur në një stad tjetër nga një bashki ku nuk arrinim dot të paguanim dot rrogat para shtatë vitesh, jemi në një situatë që bashkia ka filluar tashmë të investojë në vepra”, theksoi Gurra.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?