Në kishën e Shën Mërisë ,në ishullin Maligrad profesionistë nga Shqipëria dhe Europa kanë filluar punën për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore. 22 vullnetarë, profesionistë të ndërtimit dhe restauratorë po kryejnë ndërhyrjet e para, të plota në ketë kishë, ku nuk ishte vënë dorë prej 50 vitesh.
Drejtori i monumenteve në Korçë thotë se restaurimi i kishës së shek XIII do të nxjerrë në pah mbishkrimet, pikturat shkëmbore por dhe figura të periudhave të ndryshme të lidhura ngushtësisht me historinë e këtij monumenti historik.
“Kjo ndërhyrje është financuar nga banka gjermane KFV, së bashku me projektin e rezervës së biosferës. 22 vullnetarë europianë, pra profesionistë nga fusha të ndryshme të konservimit gurit e të drurit, arkitektë dhe restaurues janë duke punuar këtu prej datës 1 shtator për të konservuar të gjithë pjesën e çatisë dhe çka është më e rëndësishme është që ky projekt nuk konsiston vetëm në restaurimin e Kishës së Maligradit. Ky synon të krijojë një infrastrukturë shumë lehtësuese për turistët . Në datën 12 shtator kur të kenë përfunduar të gjithë punimet restauruese këtu do kemi një model shumë të mirë sesi një kishë apo pasuri kulturore në vetvete mund të bëhet e aksesueshme", tha drejtori i Monumenteve dhe Kulturës në Korçë.
Drejtori i fondacionit "Vullnetarët Europian të Trashëgimisë" shprehet se kisha e Shën Mërisë është pasuri e rralle kulturore e cila ndodhet ne nje ishull qe ne vetvete përmban një trashëgimi te jashtëzakonshme natyrore.
"Është një sajt i trashëgimisë kulturore shumë i vogël por me një pasuri të jashtëzakonshme. Ndodh rrallëherë në Evropë të kesh site të tilla të trashëgimisë afër natyrës. Kisha gjendet, në një shpellë, në mes të një ishulli në mes të një liqeni, në mes të një parku ujor. Pra kemi ndërthurjen e të gjithë këtyre elementëve të jashtëzakonshëm. Gjendja e kishës nuk është shumë e mirë, sidomos pjesa e çatisë, e cila ishte pothuajse e thyer", tha Bert Ludëig, drejtori i "European Heritage Volunteers".
Restaurimi i çatise në kishën e Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad do i kthejë identitetin këtij monumenti të kulturës por do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të vizitorëve dhe zhvillimit të turizmit.
Pasuritë e rralla në ishullin e Maligradit mes liqenit të Prespës , kishat e lashta eremite, historia dhe peizazhi mahnitës kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve.
“Vij nga Tirana. Është hera e parë që vijmë me cunin, nusen dhe nipin Shumë, shumë bukur”, shprehet një turiste.
“Vend shumë interesant për t’u vizituar , Jua këshilloj të gjithëve vend i lezetshëm dhe qetë”, shprehet një qytetar tjetër.
Restaurimi i kishës së Shën Mërisë dhe finalizimi i disa projekteve te tjera në bashkinë Pustec pritet të japin efekte pozitive në turizëm.
“Për vitin 2020 ka një rënie shumë të ndjeshme të vizitorëve, në Bashkinë e Pustecit ku janë rreth 30.000 turistë, 27.000 mijë turistë vendas dhe 3000 mijë turistë të huaj”, tha nënkryetari i bashkisë, Jani Nikolla.
“Për herë të parë kemi tentativa në mënyrë arkaike dhe naive të disa përfytyrimeve të shenjta. Kemi figurën e Shën Mërisë të pikturuar në shkëmb që datojnë që nga shek 5. Janë vlera që nuk kanë dalë shumë në pah të këtij ishulli por mund të themi më këtë infrastrukturë lloj ndërhyrje që është duke u kryer do dalin në pah e do të jenë më të qarta. do të rrisin edhe kuriozitetin për të ardhur sa më shumë në ditët në vijim. Dhe gjithë këto punime janë duke u kryer nga vullnetarët evropiane me mbështetjen shumë të madhe të Institutit të monumenteve të Kulturës dhe Ministrisë së Kulturës”, tha Gjergji Koki, drejtori i monumenteve.
Një vit më parë ky ishull u vizitua nga 100 mijë turistë, kryesisht të huaj. Këtë vit për shkak të pandemisë, numri i vizitorëve ra në rreth 30 mijë.