TIRANË- Prej orës 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” po vijon rinumërimi i votave të qarkut Durrës. Janë hapur deri më tani 148 kuti nga 290 kutitë brenda vendit që janë vendosur për t’u hapur (deri në orën 15:45). Pritet që të rinumërohen gjithashtu edhe 85 kuti të tjera, që i përkasin diasporës së këtij qarku.
Rezultatet e deritanishme kanë nxjerrë gabime. PD humb 18 vota, Partia Socialiste humb 4 vota, që ia kanë shtuar padrejtësisht nga numërimi fillestar, 5 vota humb koalicioni Djathtas për Zhvillim, 3 vota i shtohen partisë Mundësia, 1 votë i shtohet Lëvizjes Bashkë, 5 Nismës Shqipëria Bëhet dhe 1 Partisë Socialdemokrate.
Sa i përket kandidatëve, (118 kuti deri tani), beteja në PD bëhet mes ish-prokurorit Arjan Ndoja ( që u zgjodh deputet) dhe Aulon Kalasë, ky i fundit kërkoi rinumërim. Në betejën për rinumërim të votave, Kalaja nuk u mbështet nga PD, por nga Partia Lëvizja e Legalitetit, përmes firmës së saj, pasi ishte pjesë e koalicionit PD-ASHM më 11 maj.
Nga të dhënat e KQZ, Ndoja rezulton se ka marrë 77 vota pa meritë, ndërsa Kalasë i shton 10 vota, që ia kanë hequr nga numërimi fillestar. Sa i përket kandidatëve të tjerë në PD, 54 vota i shtohen Emri Vatës, 17 i shtohen Edlira Harizit, 2- Ndrec Pjetrit, ndërsa 39 i hiqen Petro Vokopolës.
Te socialistët, Arkend Balla ka marrë 51 vota pa meritë, që i hiqen nga numërimi i parë. Ani Dyrmishi rikuperon 236 vota, kurse Gentian Hilla humb 241, dy ekstremet rekord brenda socialistëve deri tani.
Rezultati i rinumërimit të deritanishëm për Durrësin
Kujtojmë që një ditë më parë, administrata e KQZ verifikoi materialet zgjedhore në 126 kuti të Durrësit.
Aulon Kalaja kërkoi rinumërim votash me pretendimin se i janë trafikuar vota brenda partisë. Pritet të shihet nëse hapja e pjesshme e kutive të Durrësit do t’i japë vota në favor të tij, për t’i marrë mandatin Ndojës. Kalaja protestoi edhe dy ditë më parë para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të Durrësit. Kërkoi gjithashtu paralelisht edhe këqyrjen e pamjeve filmike me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.
Rinumërimi i Durrësit vjen pas përfundimit të procesit të Fierit, i cili prodhoi ndryshime. Zegjine Çaushi humbi dhe rifitoi mandatin brenda një dite. Ajo u mund nga kolegia socialiste Maldrita Bardho me një diferencë prej 10 votash nga rinumërimi, por kjo e fundit reagoi dhe tha se do t’ia linte mandatin Çaushit.
Lajm në përditësim...
Kandidati i PD-së për qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, u shpreh sot për Report Tv nga salla e pallatit “Farie Hoti” ku po rinumërohet pjesërisht me vendim të KAS, se procesi ka treguar se ka transferim të votave të kandidatëve brenda partisë dhe ai po mban shënim çdo rast.
Gazetari që ndodhet 1 mijë vota larg mandatit që ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vetingu, Arjan Ndoja, shprehet se votat e tij janë transferuar nga numërimi i parë dhe kjo provohet nga rinumërimi i deritanishëm.
Ai sqaroi se ka kërkuar në KAS rinumërim të të gjithë qarkut dhe jo ashtu siç po spekulohet qëllimisht sikur kërkoi vetëm 60 kuti. Gjithashtu vuri në dukje se edhe vetë KAS po mban standard të dyfishtë për vota të ndryshme, në lidhje me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë.
“Unë kam kërkuar hapjen e të gjithë qarkut të Durrësit. Është kërkesë e protokolluar. Unë kam kërkuar për të gjitha, teksa ka dezinformim sikur kam kërkuar vetëm për 60 kuti. Unë kam dërguar prova për 60 prej kutive dhe KAS ka vendosur kështu, por unë dua hapjen e të gjithave”, sqaroi kandidati.
Kurse për procesin ai tha se rezulton që vota e tij është transformuar dhe do vijojë me ankimimet për çdo rast të evidentuar që po mbahet shënim.
“Nga faza e parë tek e dyta rezulton se vota ime është transformuar. Unë kërkoj të ballafaqohen videot me procesverbalet apo kutitë. Kam mbajtur shënim çdo lloj vote. Shikoj se kanë mbajtur standarde të ndryshme për vota të ndryshme, në fund të procesit do bëj ankimimet e mia. Edhe KAS po mban qëndrime të tjera, unë po i mbaj shënim, ka problematika të ndryshme, ka pasur standarde të ndryshme për vota të ndryshme. Kam dyshime se janë bërë ndryshime artificiale me shënime votash kandidatësh apo partish nga procesi i parë deri tani. Rezulton se deri tani mua më janë marrë vota deri tani, votat e mia janë të pastra, të tjerëve u janë shtuar vota tepër në procesin e parë”, përfundoi Kalaja.
Nga rinumërimi i më shumë se gjysmës së kutive të vendosura nga KAS, deri tani kandidati Ndoja ka humbur më shumë se 50 vota që i kishte fituar padrejtësisht nga numërimi i parë, kurse kandidatit Kalaja i janë shtuar 5 që ia kishin hequr padrejtësisht te numërimi i parë.
Vota e pavlefshme, e kthyer e vlefshme për Ndojën nga KAS
Ndërsa po vijon rinumërimi i pjesshëm i kutive të qarkut të Durrësit, ku kandidati Aulon Kalaja pretendon se i janë vjedhur votat brenda PD-së me qëllim që të fitonte kandidati tjetër, ish-prokurori i shkarkuar nga Vettingu, Arjan Ndoja, një detaj është zbuluar nga procesi.
KAS-i i ka quajtur votë të vlefshme ish-prokurorit një prej atyre që komisionerët e kishin deklaruar të pavlefshme në numërimin e parë të 11 majit.
Siç shihet edhe në foto, kjo është një votë për Arjan Ndojën. Në fletën e votimit është një kryq te emri i kandidatit të PD-sëm por edhe një pikë te kandidati i parë, Skënder Dika.
KAS ndërhyri në këtë rast dhe gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku, informon se e quajti të vlefshme për Ndojën, me argumentin se “pika mund të jetë vendosur nga komisionerët politikë për ta bërë të pavlefshme”.
Procesi i rinumërimit për Durrësit po vijon te Pallati i Sportit ‘Farie Hoti” në Tiranë dhe ndodhet pothuajse në gjysmën e tij. Ndoja e ka fituar mandatin me 1 mijë vota diferencë nga ndjekësi më i afërt, Aulon Kalaja, që pretendon se i janë vjedhur nga brenda partisë. Kalaja kërkoi rinumërim të të gjithë qarkut, por KAS e pranoi vetëm pjesërisht. Deri tani Ndoja ka humbur mbi 50 vota nga procesi i rinumërimit.
Komente
