Nis rishikimi i ligjit ‘Për Rininë’, Bora Muzhaqi: Koha për të reflektuar mbi zhvillimet dhe kërkesat e të rinjve

14 Qershor, 10:45| Përditesimi: 14 Qershor, 11:01

  • Share

Ministrja Bora Muzhaqi njoftoi ditën e sotme fillimin e procesit të rishikimit të Ligjit “Për Rininë”, në një takim të organizuar me përfaqësues të shoqërisë civile, anëtarë të Këshillit Kombëtar Rinor dhe Këshillave Vendorë Rinorë, si dhe të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria.

Në fjalën e saj, Ministrja Bora Muzhaqi theksoi rëndësinë e këtij ligji, i cili u miratua në vitin 2019 për të krijuar një kuadër legjislativ të dedikuar për mbështetjen dhe angazhimin e të rinjve.

“Ka kaluar një periudhë pesëvjeçare nga miratimi i këtij ligji dhe është koha për të reflektuar mbi zhvillimet dhe kërkesat e reja të të rinjve, për të përmirësuar dhe përshtatur ligjin,” tha Muzhaqi, duke theksuar njëherazi se për rishikimin dhe përmirësimin e ligjit ka pasur kërkesa për ndryshime dhe zhvillime të mëtejshme të herëpashershme duke filluar që nga procesi i konsultimeve të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, ku edhe është parashikuar si masë e saj, deri në takimet e vazhdueshme me të rinj dhe shoqërinë gjatë tre viteve si ministre.

Gjatë këtyre pesë viteve, ligji ka mundësuar krijimin e 61 këshillave vendorë rinorë në të gjithë bashkitë e vendit dhe Këshillin Kombëtar të Rinisë, që shërbejnë për të tejçuar zërin e të rinjve në nivel lokal dhe qendror.

Përsa i përket mbështetjes për projektet rinore, Ministrja Muzhaqi u ndal tek thirrjet për financimin e projekteve rinore dhe grantet për infrastrukturë rinore.

Përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë, janë mbështetur 58 projekte rinore që kanë përfituar rreth 17,000 të rinj e të reja. Ministrja përmendi gjithashtu ndërtimin e infrastrukturës rinore në 9 bashki dhe krijimin e hapësirave të reja në 6 bashki të tjera gjatë këtij viti, duke përfshirë Sarandën, Matin, Korçën, Librazhdin, Malësinë e Madhe dhe Fierin.

Muzhaqi theksoi se ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me të rinjtë dhe organizatat e shoqërisë civile, duke mbajtur në konsideratë komentet dhe sugjerimet e tyre.

Procesi do të fillojë me katër tryeza pune të dedikuara për kompetencat institucionale, organizimin dhe veprimtarinë e strukturave rinore, financimet për rininë, dhe kushtet për aktivizimin dhe mbështetjen e të rinjve.

“Ky proces është i rëndësishëm për të siguruar transparencë dhe për të bashkëkrijuar politikat me të rinjtë për të rinjtë,” tha Muzhaqi.

Ajo njoftoi gjithashtu nisjen e një turi konsultimesh në të gjithë vendin, për të mbledhur mendimet dhe kërkesat e të rinjve dhe organizatave rinore nga çdo cep i Shqipërisë.

Ministrja Muzhaqi përfundoi fjalën e saj duke falënderuar të gjithë kontribuuesit për arritjet deri më tani dhe shprehu besimin se ky proces do të jetë frytdhënës dhe do të ndihmojë në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ligjit për rininë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?