Më shumë se 704 mijë qytetar në vend që marrin pension, nga kjo e hënë së bashku me pensionin mujor do të marrin edhe shpërblimin prej 5 mijë lekë për festat e fund vitit.
“Qytetarët mund t'a tërheqin bonusin deri në 31 dhjetor 2024. Të gjithë ata që nuk munden për arsye të ndryshme, mund ta tërheqin këtë bonus edhe vitin e ardhshëm. Nuk ka nevojë që të shtyhen nëpër radhë. Bonuset po i shpërndajmë me këstin mujor të pensioneve”, u shpreh Astrit Hado, drejtor i ISSH.
Por sa i mjaftueshëm është për pensionistët ky shpërblim?
“Nuk mjafton se familjet duan të ushqehen, nuk dalin lekët. Ça pensioni marr unë, pensioni është shumë i vogël”, thotë një pensionist.
“Them se është një ndihmë e vogël për ne pensionistët”, tha një tjetër qytetar.
Edhe pse jemi në prag të festave të fundvitit, çmimet e larta e kanë zbehur atmosferën festive, pasi pensionistët thonë se kostot nuk i përballojnë dot, as me këtë shpërblim.
“Varfëria ka nxjerrë dhëmbët, ndërsa borgjezia po thellon rrënjët. Të gjitha janë të shtrenjta, por ushqimet janë dhe të pakontrolluara. Me këto çmime nuk dilet, mundohemi të kursejmë. Aq sa kemi do të hamë”, pohon një pensionist.
Më shumë se ky shpërblim, sipas pensionistëve duhet të shikohet masa mujore e pensioneve që marrin.
“Ky shpërblim është për dy dit. Nuk i mbyllim dot plagët, ne duam një pension të rregullt si të gjithë, unë edhe 100 mijë lekë nuk i marr. Kontribuova u lodha dhe prapë nuk i marr”, tha qytetari.
Në total janë mbi 3.5 miliardë lekë, që shpërndahet për të gjitha kategoritë përfituese ku përfshihen ato me pension pleqërie, social, invaliditeti, familjar, apo pensionet e parakohshme, si dhe ata me trajtim të veçantë si ish minatorët, naftëtarët apo punonjësit e ish-ndërmarrjeve ushtarake. Ky është bonusi i dytë që shpërndahet për këtë vit, pas atij në muajin prill, që u dha nga taksa e jashtëzakonshme që ju vendos hidrocentraleve.
KATEGORITË QË PËRFITOJNË
-Pension pleqërie dhe pension social
-Pension invaliditeti
-Pension familjar
-Pension të parakohshëm
-Minatorët, punonjës të ish-ndërmarrjeve ushtarake
Shume shtete për fundviti i japin pensionistëve pensionin e 13,kurse në shqipēri i japin thërrime,dhe e bëjnë tē madhe,kushedi se ç'far po ju japin.
Përgjigju