Prej ditës së sotme të gjitha linjat e autobusëve janë funksionale. Të fundit rinisën punën autobusët në Berat dhe Kukës, ndërsa në qytetet e tjera të vendit transporti u hap dje.Me maska e doreza, shqetësim mbetet numri i pakët i pasagjerëve
Autobusët u nisën nga terminali i Beratit që në orët e para të mëngjesit duke udhëtuar drejt Fierit, Vlorës, Tiranës etj. Drejtuesit e mjeteve shprehen se kanë marrë masa për distancën dhe dezifektimin, por shqetësim për ta mbetet numri i pakët i pasagjerëve.
"Ne punojmë me 70 për qind nuk marr më pak se kam mjetin e vogël. Pasagjerë nuk ka fare, kam ardhur bosh nga Vlora", tha një shofer.
"Gjendja është e keqe pasi lëvizjet janë të rralla, unë erdha nga Fieri në Berat me dy pasagjerë", u shpreh një tjetër.
Ndërsa udhëtarët shprehen se kemi marrë masat, duke u pajisur me maska. Po kështu në Kukës ditën e sotme ka nisur punë transporti publik i udhëtarëve. Shqetësimi mbetet i njëjtë: Mungesa e pasagjerëve!
"Në 06:30 nuk pati njerëz fare, në 08:30 u nis drejt Kamzës një mjet me 5 veta", tha një drejtues mjeti.
Kjo shihej qartë edhe në stacionin e urbanëve ku gjatë ditës së sotme kishte shumë pak udhëtarë për të lëvizur nga Kukësi drejt Tiranës, Durrësit apo Kamzës. Berati dhe Kukësi ishin dy qytetet e vetme pa transport, pasi në qarqet e tjera linjat interurbane dolën në punë ditën e djeshme.