Shëndeti

Nis vaksinimi kundër gripit i personelit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë: Vaksina falas edhe për të moshuarit dhe grupet e rrezikuara

23 Tetor 2021, 12:15| Përditesimi: 23 Tetor 2021, 15:21

  • Share

TIRANË-  Ka filluar procesi i vaksinimit kundër gripit për personelin mjekësor, për të vijuar me grupet e rrezikuara, si të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit kundër gripit në Qendrën Shëndetësore Nr.10 në kryeqytet.

"Kanë mbërritur 35 mijë vaksina në raundin e parë të ardhjes së vaksinave të gripit, të cilat tashmë janë porositur prej muajsh nga Instituti i Shëndetit Publik, mbështetur nga qeveria shqiptare. Ashtu sikurse çdo vit tashmë vaksinat e gripit janë përfshirë në kalendarin tonë të vaksinimit për grupet e riskut", tha Manastirliu.

Duke vënë theksin për kryerjen paralelisht edhe të vaksinimi antiCOVID, Manastirliu bëri me dije se qeveria është e angazhuar për sigurimin e vaksinave të gripit dhe ato anticovid.

"Presim që javën tjetër të mbërrijnë në Shqipëri rreth 200 mijë vaksina kundër gripit, të cilat do të shpërndahen në mënyrë të menjëhershme në të gjitha qendrat tona shëndetësore, për të vijuar me kalendarin tonë të vaksinimit kundër gripit dhe paralelisht duke realizuar edhe mbulesën përsa i përket vaksinimit anti-covid. Mund të bëhen këto vaksina edhe paralelisht", tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se në fazën e parë do të vaksinohen ndaj gripit personeli shëndetësor, por edhe të moshuarit me sëmundje kronike.

"Ne kemi filluar këtu në qendrën shëndetësore nr. 10 por edhe në disa qendra shëndetësore paralelisht jo vetëm vaksinimin kundër gripit për personelin tonë shëndetësor që është fokusi i parë i fazës së parë, por paralelisht edhe me vaksinimin kundër gripit për të gjithë ata të moshuar të cilët janë të sëmurë kronikë, personat të cilët kanë probleme me obezitetin apo gratë shtatzëna", u shpreh Manastirliu.

Teksa e konsideroi një proces në kohën e duhur, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico,  tha:

"Vaksina që kemi sivjet është një vaksinë 4 valente. Janë vendosur në dispozicion udhëzimet përkatëse se si do procedohet në çdo qendër shëndetësore. Ka pasur interes dhe është një fillim i mbarë, ne jemi tamam në kohë", tha Fico.

Vaksinimi kundër gripit do të nisë me personelin shëndetësor, për të vijuar më pas me grupet e rrezikuara, për të cilët vaksinat kundër gripit do të garantohen falas nga shteti.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?