Ka nisur në Berat Viti i ri shkollor 2024-2025. Mësohet se për shkak të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare "22 Tetori", nxënësit e kësaj shkolle do ta zhvillojnë mësimin në gjimnazin "Bab Dud Karbunara", paradite nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt dhe pasdite ata nga klasa e pestë në klasën e nëntë.
Këtë vit në rrethin e Beratit kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe private).
Numri total i nxënësve në këto shkolla është 6470 nxënës, ndërkohë që në bankat e shkollës ulen për herë të parë 458 vogëlushë në klasën e parë. Edhe kopshtet e çerdhet kanë hapur sot dyert për të pritur vogëlushët. Në Berat 1000 fëmijë frekuentojnë kopshtet në qytet e fshat dhe 256 fëmijë frekuentojnë çerdhet. Shifrat janë bërë të ditura nga Drejtoresha e Arsimit në bashkinë Berat,Klodjana Hoxha.
"Ne sivjet, në 4 çerdhet e bashkisë Berat kemi të regjistruar 256 fëmijë, në kopshtet (qytet dhe njësi administrative) kemi 1000 fëmijë, Në klasat e para sivjet do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës 367 nxënës në shkollat publike dhe 91 nxënës në shkollat private. Në klasat e 10-a kemi 473 nxënës në shkollat publike dhe 84 në shkollat private. Në bankat e shkollave këtë vit do të ulen 5500 nxënës në shkollat publike dhe 970 nxënës në shkollat private"-ka thënë Hoxha.
Ajo ka konfirmuar se edhe këtë vit do të ketë mësim me dy turne për një shkollë që po rikonstruktohet nga themeli.
"Mësimi me dy turne do te jetë për nxënësit e shkollës 9-vjeçare "22 Tetori" dhe për disa klasa të shkollës Uznovë. Në shkollën e re të rindërtuar, Bab Dud Karbunara do të zhvillojnë mësimin paradite dhe pasdite 12 klasat e shkollës 9-vjeçare "22 Tetori",e cila po rindërtohet nga themeli"-,ka thënë ajo.
Shifrat e numrit të nxënësve për vitin e kaluar kanë qënë:
5450 ishte numri i nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë,
540 fëmijë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.
Lajmi kryesor:
Vëzhgim i Report TV/ Mësim me turne në Berat dhe Lushnje! Mbyllen 14 shkolla në fshatrat e Korçës, Dibrës e Kukësit
M.Q.//ReportTv.al