Nis zbatimin i pari program kodimi në Shqipëri për fëmijët që në klasë të parë, Rama: Kemi 100 laboratorë smart, do i shtojmë

12 Shtator 2022, 08:30| Përditesimi: 12 Shtator 2022, 09:51

  • Share

Viti i ri arsimor nis me risinë e kurrikulës TIK në klasat e para, me Laboratorët Smart që janë ngritur edhe në 100 shkolla të tjera në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe drejtoreshën e Inovacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Inovacionit, Romina Kostani vizitoi shkollën 9 - vjeçare “Jeronim De Rada”, në kryeqytet, ku për herë të parë, kurrikula e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) do të zhvillohet që në klasë të parë. 

Këtij qëllimi i shërben Laboratori i ri digjital Smart i kësaj shkolle, që u inaugurua sot dhe që do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit. Kryeministri tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, për ti përgatitur ata për një treg të ri pune.

“Janë 100 laboratorët e parë që ne i instalojmë në bashkëpunim me AADF. Ndërkohë kemi programin me Bankën Botërore dhe ndërkohë kemi edhe një plan që të mbështesim edhe ne nga pikëpamja buxhetore, duke bërë që i gjithë ky sistem të përhapet në të gjitha shkollat e vendit në një kohë të arsyeshme. Ajo që është themelore është që t’u japim mundësi më të rriturve që të hyjnë në një fazë të thelluar të kodimit dhe përmes asaj diturie të bëhen të aftë për një treg tjetër. Ne do t’i shtrijmë më tutje të gjitha programet e kodimit në bashkëpunim me sipërmarrjet në mënyrë që të krijojmë një shtresë komplet të re që ka filluar të formësohet, por ne do ta nxisim që brenda periudhe të kemi një numër të konsideruar të rinjsh, të cilët janë të punësuar në një treg komplet tjetër që është tregu i punës online dhe ka të ardhura shumë të larta”, tha Rama.

Në shkollën “Jeronim de Rada”, mësuesja zbuloi detaje nga platforma e kodimit për fëmijët e klasës së parë.

“Platforma e kodimit do të sjellë mënyrë të re të të mësuarit të kësaj lënde. Përdoret nga 25 milionë fëmijë në të gjithë botën ndërsa mund të përdoret edhe në shtëpi. Fëmijët pasi të kenë mësuar përdorimin e mausit dhe tastierës, do të prezantohen me kastorin, i cili duhet të kalojë një sërë sfidash në habitatin e vet. Faqja e aplikacionit është shumë e thjeshtë për fëmijët”, tha mësuesja.

Pjesë e këtij eventi ishin përfaqësues nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nxënës të kësaj shkolle të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti të ri në Shqipëri, mësues e përfaqësues të ndryshëm të institucioneve respektive.

Angazhimi i ministres përgjegjëse për Rininë dhe Fëmijët në këtë projekt, i cili do të nisë me testimin e tij përgjatë tre viteve shkollore të para deri në zgjerimin e projektit në nivel kombëtar, është konfirmuar që me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe AADF-së, në maj të këtij viti, për krijimin e 100 laboratorëve SMART.

Sipas Muzhaqit, “këta fëmijë do të hapin rrugën për Shqipërinë e Teknologjisë”, ku fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë do mund të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë.

Programi i TIK-ut për klasën e parë është konceptuar mbi bazën e krijimit të njohurive dhe aftësive digjitale të nxënësve që në moshë të hershme, duke respektuar kuadrin moshor dhe nivelin fillestar të njohurive që këta nxënës zotërojnë.

Ky program, - i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë britanikë të AADF, specialistë të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), specialistë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI),  përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, - zhvillon fushën dhe kompetencat kryesore përmes 4 tematikave kryesore: Bota e kompjuterit, Hyrje në multimedia, Të menduarit kompjuterik dhe kodimi, Siguria e të punuarit në kompjuter.


Lajmi kryesor:

Kongresi Kombëtar i Arsimit! Rama: Gjuha shqipe sot më e rrezikuara, kërcënimi më i madh se asnjëherë! Të mbrohet me provim njësoj si anglishtja


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?