Kronikë

VIDEO/ Nis stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 2025”, forcat e armatosura nga Zall-Herri drejt Bizës

27 Maj, 09:11| Përditesimi: 27 Maj, 15:34

  • Share

Njësi të shumta të trupave tokësore të ushtrisë shqiptare u spostuan sot që prej orës 4 të mëngjesit nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë. Lëvizjet e trupave shënojnë nisjen e stërvitjes Defender Europe 2025.

Përmes rrjeteve sociale, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore të kësaj stërvitje, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.

Stërvitja ku përfshihet Shqipëria është ajo e fazës së dytë, “Immediate Response”, (Përgjigje e shpejtë), me 12 mijë trupa, me 8 shtete në total, ku përfshihen edhe territore në Bullgari, Kroaci, Greqi, Kosovë, Mali të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki. Në program është parashikuar të zhvillohet më 5 qershor një operacion i simuluar imbarkimi në Portin e Durrësit. Po ashtu, 2 ditë para përmbylljes, në territorin e vendit tonë zhvillohet në Bizë Martanesh, një provë gjenerale stërvitjeje.

Në 3 fazat e stërvitjes, “Defender Europe 2025” do të përfshijë 28 mijë trupa në total nga 39 vende të botës. Operacionet do të shtrihen në territorin e 16 shteteve dhe në to, do të angazhohen njësi të shumta ushtarake nga deti, toka dhe ajri.

Për herë të parë Shqipëria do të ketë kapacitete dronësh në stërvitje. “Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike.

Ora 12:55
Stërvitja ‘Defender Europe 25’, Rama: Shqipëria, rol strategjik në garantimin e suksesit! Synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për stërvitjen ‘Defender Europe 25’ që ka nisur në Shqipëri. Në një reagim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shprehet se Shqipëria luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve. Kjo stërvitje, shton ai, synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate.

“Ka nisur zyrtarisht në orët e para të mëngjesit stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ‘25”

Kjo stërvitje ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit, zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA-së (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s

Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.

“Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantik.”, shprehet Rama.

Xh.K/G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Togeri: 28/05/2025 23:11

    Fotoja tregon më shumë se çdo deklaratë zyrtare: Forcat tona të Armatosura vazhdojnë të përdorin mjetet e vjetra amerikane të epokës së Irakut, pa asnjë shenjë të modernizimit real. Këto mjete jo vetëm që janë jashtë standardeve të kohës, por janë të papërshtatshme për terrenin dhe operacionet moderne. FA nuk ka kapacitet logjistik për t’i mirëmbajtur – konsumojnë shumë, kërkojnë pjesë që nuk gjenden lehtë, dhe janë të pajisura me teknologji të tejkaluar. Flasim për dronë dhe pjesëmarrje ndërkombëtare, por realiteti është që ushtria jonë ende operon me teknologji të një epoke të shkuar. Pa logjistikë, pa pajisje bashkëkohore, çdo stërvitje mbetet vetëm një shfaqje për kamera.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?